Nexhipi: Pres më shumë nga mesfushorët, ja kur do të nisin punimet në stadiumin e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 20:15

Nexhipi: Pres më shumë nga mesfushorët, ja kur do të nisin punimet në stadiumin e Kukësit

Kukësi dhe futbol listët e tij kaluan një periudhë të ngarkuar psikologjike për shkak të dy humbjeve me rivalët kryesorë, Skënderbeun e Partizanin, të cilat sollën dhe nervozizëm mes trajnerit Armando Cungu e sulmuesit kryesor të ekipit, Arturo Rexhinaldo.

Nexhipi 2

Me ndërhyrjen e drejtorit Nderim Nexhipi, i cili është autorizuar nga presidenti, gjithçka u shua. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” drejtuesi i klubit verilindor tregon terapinë sesi ekipi do të dalë nga kjo gjendje dhe çfarë pret prej tij. Nexhipi ka besim te skuadra dhe reagimi do jetë që nga ndeshja e së shtunës ndaj Kastriotit. Sakaq, ish-futbollisti i famshëm thekson me forcë dhe argumente pse Kukësi nuk asgjë më pak se rivalët.

A ka një çështje “Rexhinaldo” aktualisht te Kukësi dhe si e zgjidhët “konfliktin” mes lojtarit dhe trajnerit?

Çështje “Rexhinaldo” nuk ka te Kukësi. Lojtari kthehet sot(dje) në darkë pas dy ndeshjeve me Kombëtaren e tij e më pas do t’i bashkëngjitet grupit. E kemi zgjidhur atë ngërç, nëse do mund ta quajmë kështu mes trajnerit Cungu dhe tij. Gjithçka ka kaluar e ne të gjithë bashkë shikojmë përpara për të bërë më të mirën për suksesin e ekipit dhe klubit.

Dy ndeshje asnjë gol, mos ndoshta ky ekip është i varur nga Rexhinaldo?

Është e saktë që nuk arritëm të shënonim në dy ndeshjet e fundit. Më saktë, unë do doja që të ishim të varur nga Rexhinaldo në dy ndeshjet e kaluara, por nuk rezultoi ashtu, pasi Rexhinaldo ka shënuar disa herë në fillim të sezonit. Ne nuk jemi të varur nga Rexhinaldo. Unë pres më shumë nga të gjithë lojtarët, e sidomos prej mesfushorëve që dhe ata të arrijnë të shënojnë siç bëjnë gjithë homologët e tyre ne Europë.

I keni humbur dy ndeshjet e fundit dhe nuk keni shënuar ndaj rivalëve, çfarë kanë ata më shumë se Kukësi ose çfarë i duhet Kukësit të bëjë për t’i arritur dhe kaluar ata?

Në muajin shtator zhvilluam ndeshje të mira dhe arritëm t’i fitonim të gjitha, por në dy ndeshjet e fundit nuk arritëm të bënim më të mirën. Ndaj Skënderbeut nuk shfaqëm  lojën tonë, kundër Partizanit zhvilluam ndeshje të mirë dhe meritonim shumë, por për fat të keq nuk shfrytëzuam me efikasitet rastet që krijuam. Nuk ka diferenca mes Skënderbeut, Partizanit dhe Kukësit, paçka rezultatit, që për mendimin tim nuk ishte pasqyrë e lojës, por derisa nuk fituam do të thotë që duhet të bënim diçka më shumë. Dhe kjo gjëja më shumë është puna më e madhe që duhet të bëjmë e që na pret. Po punojmë shumë në çdo aspekt, po i marrim ndeshjet një e nga një. Jam i bindur që do jemi në rrugë të drejtë e të mbarë për të arritur objektivat.

Çfarë prisni nga ekipi për të arritur atje ku duhet. Sa pikë kërkoni në 3 ndeshjet e radhës?

Normal, pas dy humbjeve, presim që ekipi të reagojë që në ndeshjen e radhës. Kemi takime të vëshbtira, por kemi kualitet e detyrimisht që Kukësi hyn në çdo ndeshje për ta fituar, e në këtë kuadër them që duhet të kërkojmë vetëm fitore.

Si e shikoni ndeshjen ndaj Kastriotit?

Çdo ndeshje duhet vlerësuar në maksimum, e këtë gjë e kërkon dhe trajneri. Nuk ka asnjë lloj nënvlerësimi, madje kemi kërkuar seriozitet, i cili të përkthehet me lojën dhe me rezultatin ditën e shtunë, që është fitorja dhe tri pikët.

Sa shanse ka Kukësi që të kalojë rivalët deri në përfundim të fazës së dytë?

Pas kësaj jave fillon faza e dytë, por kampionati është i gjatë. Natyrisht, që ne duke u mbështetur dhe në politikat e klubit kërkojmë që në çdo ndeshje të marrim tri pikët dhe në fund të kemi më shumë pikë se të gjithë e të fitojmë kampionatin.

A është një problem real moszhvillimi ndeshjeve në Kukës dhe pse?

Është një handikap i madh që ne nuk i luajmë ndeshjet në shtëpi dhe para publikut tonë. Presidenti po bën çdo gjë që ekipi të luajë në Kukës. Për këtë arsye, për pak kohë do nisin punimet në stadiumin tonë. Shpresojmë që ekipi të kthehet të luajë në shtëpi sa më parë, pasi na pengon shumë fakti që nuk luajmë në Kukës. Kjo nuk do të thotë që mos të arrijmë suksese kudo që luajmë. I kemi të gjitha mundësitë dhe jam i bindur që secili do japë maksimumin që të arrihet qëllimi përfundimtar, fitimi i titullit.

A keni besim te këta lojtarë dhe te kjo skuadër?

Skuadra pas këtyre dy humbjeve, normale që do kalonte në momente nervozizmi dhe të vështira për shkak dhe të karakterit të fortë të shumë lojtarëve dhe gjithë grupit. Kjo, shpresoj, e besoj, të na shërbejë për të mirë. Dhe ashtu do jetë, duke bërë ndryshimin që në takimin e së shtunës. Ka dhe diçka, ne prodhuam lojë ndaj dy rivalëve, por fatkeqësisht nuk arritëm të shënojmë në këto ndeshje derbi. Kam shumë besim se kjo skuadër dhe ky grup do ringrihet në nivelin që i takon shumë shpejt, madje duke filluar nga ndeshja e radhës ndaj Kastriotit.

Si po e motivoni skuadrën të rikthehet te suksesi?

Kemi shumë besim te skuadra, pasi kemi një ekip me bosht të madh. Janë mbi 20 lojtarë që janë të barabartë, të cilët luftojnë që të jenë pjesë e formacionit të parë dhe nga ndeshja në ndeshje po rriten. Ka dhe nga ata lojtarë që janë duke u ambientuar me kampionatin. Besimi që po u japim është motivimi më i mirë, që pikërisht ata të shfaqin cilësitë e tyre e të kontribuojnë për ekipin.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"