“Në Vlorë është kaos, asgjë s’funksiononte”, Nika: Flamurtari ndodhet në situatë alarmante, por unë i fala pagat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2020 | 23:25

“Në Vlorë është kaos, asgjë s’funksiononte”, Nika: Flamurtari ndodhet në situatë alarmante, por unë i fala pagat (E PLOTË)

Ansi Nika është largimi i radhës nga Flamurtari. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Nika sqaron se ka kërkuar vetë të largohet dhe nuk ka qenë klubi që e ka larguar. Shkodrani zbulon se e ka kërkuar largimin që një muaj përpara për shkak se thotë se në klub nuk ka funksionuar gjë. Shkodrani thekson se drejtuesit nuk kanë dhënë siguri. Nika do ta vijojë tashmë aventurën në Kosovë.

ANSI NIKA

“Më kanë nxjerrë në listë sikur më ka hequr klubi. Nuk është e vërtetë. Unë kam ikur vetë, me dëshirën time. Kam kërkuar largimin, pasi aty nuk shkonte dhe nuk funksiononte asgjë. Madje nuk ka funksionuar qysh në fazën e parë. Kam kërkuar largimin që para një muaji. Duke parë që gjërat po përkeqësoheshin edhe më shumë dhe vendosa të largohem. Drejtuesit nuk na dhanë siguri. Madje, them se as trajneri i ri Troisi nuk ka për të bërë gjë. U ndava me mirëkuptim. Tani po shoh në Kosovë një aventurë të re. Është duke punuar menaxheri dhe mbyllet shumë shpejt. Shpresoj që Flamurtari të shpëtojë dhe të qëndrojë në kategori. I uroj suksese”, shprehet fillimisht Nika.

PAGAT

Ansi Nika ka falur pagat. Shkodrani deklaron se nuk donte t’i shtonte edhe më shumë probleme Flamurtarit dhe mori vendimin për t’i falur tri pagat, ndërsa nuk do t’i drejtohet gjyqit. “Duke qenë se Flamurtari ishte në krizë, vendosa që t’ia fal të gjitha pagat. Nuk doja të shkoja në gjyq me Flamurtarin që t’i hapja probleme edhe më shumë dhe nuk doja ta mbyllja keq. Kështu që i fala tri paga. Jam larguar me mirëkuptim nga Flamurtari”, përfundon Nika.

PRAPAKTHIM

Klubi deklaroi dy ditë më parë se në një moment të dytë do të publikonte emrat e lojtarëve që largoi për shkak të rezultateve të dobëta, por deri tani nuk e ka bërë një gjë të tillë. “Panorama Sport” mëson se klubi do t’u japë një shans lojtarëve dhe gjasat janë të mos ketë largime në masë sikundër u tha.

Tirana-Flamurtari pj1

Kështu, Denis Pjeshka, Olsi Gocaj, mund të jenë pjesë e ekipit edhe për fazën e mbetur. Po ashtu konfirmohet nga burime pranë klubit se edhe kosovari Kreshnik Nebihu do të vijojë të jetë pjesë e Flamurtarit. Klubi po mendon që ta vijojë bashkëpunimin për pjesën e mbetur të sezonit edhe me Mateo Qarrin dhe Gersi Diamantin. Deri tani asnjë nga lojtarët e lartpërmendur nuk i ka tërhequr letrat nga klubi. Të vetmit të larguar zyrtarisht janë Fjoralb Deliaj dhe Ansi Nika.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"