“Ne borxhlinjtë e Superiores, Partizani do ketë të njëjtin fat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2016 | 13:34

“Ne borxhlinjtë e Superiores, Partizani do ketë të njëjtin fat”

Kur deklaroi pas barazimit me Partizanin se skuadra e tij do t’i merrte pikë edhe Skënderbeut në Korçë, natyrisht që shumëkush e quajti të çmendur. Por, Tërbuni i tij arriti që t’i mposhtë kampionët, duke rihapur edhe një herë tjetër garën për titullin kampion.terbuni Trajneri i pukjanëve, Viktor Gjoni, në një intervistë ndryshe për “Panorama Sport”, flet në lidhje me problemet financiare të skuadrës së tij, si dhe faktin që Tërbuni do të luajë pastër deri në fund të sezonit.

Profesor, sa e vështirë është që të jesh trajner i Tërbunit?

Të drejtosh një skuadër, e cila ka minimumin e kushteve natyrisht që është e vështirë, jo vetëm për mua, por për cilindo qoftë, sidomos në situatat kur unë mora drejtimin e skuadrës. E kam drejtuar Tërbunin më parë për gati dy vite, kur ishte në Kategorinë e Parë dhe ishim pretendentë për të dalë në Superiore, por jemi renditur në vendin e tretë. Krijuam një grup të mirë lojtarësh që me ndryshime të vogla u ruajt edhe pasi në drejtimin e skuadrës erdhi Plori duke fituar edhe simpatinë e të gjithë tifozëve pukjanë. Ngjitja në Superiore ishte e merituar, pas sakrificave që kishte bërë familja Frroku. Problemet e Tërbunit kanë ardhur për shkak të menaxhimit jo të mirë dhe prishjes së grupit. Në 1 dhjetor të vitit të kaluar, kryebashkiaku më ka kërkuar që të drejtoj ekipin për pak kohë, derisa të gjendej një person tjetër. Por, askush nuk pranoi ta merrte ekipin dhe unë duke qenë pukjan vazhdova këtë rrugë, së bashku me stafin tim, duke punuar në këto kushte mjaft të vështira.

Flitet se në skuadër ka probleme financiare mjaft të mëdha….

Jemi përballur që më parë me këto probleme, duke nisur nga mungesa e uniformave, pasi lojtarët që kishin ikur nuk na i kishin dorëzuar. Edhe sot nuk i kemi likuiduar uniformat dhe shpresoj që bashkia të na ndihmojë në këtë drejtim, pasi ne i kemi marrë këto materiale në dyqane dhe ata me të drejtë na kërkojnë pagesat.

Meqë jemi te financat, si operohet në këtë drejtim, pra trajtimi ushqimor i lojtarëve, strehimi i atyre që nuk janë nga Tirana, por edhe grumbullimet apo gjithçka tjetër i duhet një ekipi?

Unë bashkë me stafin tim i bëjmë të gjitha në skuadër. Ne jemi drejtues teknikë, magazinierë, punëtorë fushe, pra jemi munduar të mos lëmë asgjë mangët, pasi situata është realisht e vështirë. Të gjithë çuditen se si ne mund të mbijetojmë në Superiore, krahasuar me shpenzimet që bëjnë ekipet e tjera. Aktualisht, janë marrë tri shtëpi me qira në zonën e Astirit në kryeqytet, ku qëndrojnë 11 futbollistë dhe shuma totale pagesës së tyre shkon në 90 mijë lekë të rinj në muaj. Në atë zonë kam gjetur bashkëpunimin e një personi, i cili u ka dhënë mundësinë lojtarëve të ushqehen gjatë kësaj periudhe, edhe pse ende nuk është paguar. E falënderoj dhe shpresoj që shumë shpejt të likuidohet për periudhën 3-4-mujore. Gjithashtu, klubi i Tiranës na ka dhënë mundësi për t’u stërvitur në kompleksin e tyre. Ata bëjnë shpeshherë përgatitje në Pukë dhe kontrata është bërë në këtë drejtim. Nga dhjetori gjithashtu nuk kemi paguar asnjë lek për transportin dhe shpresoj që edhe në këtë drejtim të ketë likuidim. Në lidhje me grumbullimet jashtë kryeqytetit, kemi punuar më shumë me miq, duke shfrytëzuar lidhjet shoqërore, që dikush të na sponsorizojë edhe në këtë drejtim. Ka edhe njerëz të mirë.

Keni pasur ndonjë sinjal nga biznesmenët pukjanë?

Të jem i sinqertë, prisja shumë prej tyre, pasi në Tiranë janë shumë të fuqishëm. Dua të përgëzoj vetëm Mark Gjinin, i cili na ka qëndruar pranë dhe prej dy vitesh kryejmë fazën përgatitore në hotelin e tij në Shëngjin. Asnjë tjetër nuk na ka ndihmuar.

Sa e vështirë është që të motivosh lojtarë të papaguar?

Shikoni te Tërbuni ka lojtarë nga grupi aktual që në fillim të sezonit, kanë marrë pagesa paradhënie dhe për këtë kam fatura. Unë në raste të veçanta edhe nga kursimet e mia jam munduar që t’i ndihmoj lojtarë të veçantë kur ma kanë kërkuar një gjë të tillë. Por natyrisht që një gjë e tillë nuk është e lehtë, megjithatë u kam thënë lojtarëve që ata duhet të luajnë për të treguar vlerat e tyre.

Shpeshherë ju kanë parë me syrin e një ekipi të rënë nga kategoria…

Jemi përballur me shumë paragjykime, megjithatë ne jemi një skuadër që po mundohemi t’i japim tonin kampionatit. Kam pasur gjithmonë besim se kjo skuadër do të bënte paraqitje të mira. Kisha besim tek ekipi im, pasi e shikoj çdo ditë ecurinë e ekipit dhe u kam thënë lojtarëve që në momentin kur futen në fushë duhet të harrojnë të gjitha problemet. Jemi një staf që punojmë shumë dhe rezultatet duken. Mund të them se gjendja e portierit Haxho në krahasim me gjysmën e parë të kampionatit ka qenë jo shumë e mirë, ndërsa tani paraqitjet e tij janë ndryshe. Nuk e di nëse forma e tij ka qenë qëllimisht e dobët në dy fazat e para apo jo, por unë nuk dua të paragjykoj asnjë, pasi llafe ka shumë. Unë u kam thënë lojtarëve që nëse dikush devijon nga rruga do të jetë i përjashtuar nga ekipi dhe do të ketë pasoja në vijim.

Megjithatë, keni arritur të fitoni ndaj Skënderbeut dhe kjo nuk është pak. Ç’mund të na thoni?

Jo çdo gjë e jona duhet të nxihet në media. Kur ne humbasim, na paragjykojnë, e njëjta gjë ndodh edhe kur fitojmë, ndaj të gjithë duhet të jenë disi më objektivë. Nuk e diskutoj që Skënderbeu ka një ekip shumë të mirë, më superiorë se ne, por ka pasur luhatje në javët e fundit të kampionatit dhe ndoshta ne e kemi gjetur në momentin më të vështirë të tij. Nuk kishim ndonjë ngarkesë ndaj tyre, pasi edhe të humbisnim nuk përbënte problem. Lojtarët i zbatuan detyrat me përpikmëri dhe luajtën lirshëm në një terren të mirë ku skuadra mund të tregojë vlerat e saj. Megjithatë, një fitore e tillë nuk vjen shpesh, siç nuk besoj zërat që thonë se korçarët mund të kenë toleruar. Si mund ta bëjë një gjë të tillë një skuadër, e cila vë në dyshim fitimin e titullit kampion? Nuk besoj të ketë një tjetër skuadër, e cila të ketë luajtur me këto financa një kampionat dinjitoz.

Ju ka telefonuar ndonjë nga drejtuesit e Skënderbeut pas ndeshjes qoftë edhe për t’ju uruar?

Me trajnerin Josa jam shumë mik dhe pas ndeshjes thjesht kemi uruar njëri-tjetrin për vazhdimësinë.

Keni menduar ndonjëherë që ta braktisni kampionatin?

Asnjëherë. Edhe sikur të mos bëja përforcimet që prisja, apo edhe sikur lojtarët të ishin larguar, unë do të luaja me ekipin e 19-vjeçarëve.

Në janar keni afruar disa lojtarë të huaj në skuadër. Si do të procedohet me pagesat e tyre, pasi në të ardhmen mund t’ju hapin probleme?

Ata kanë marrë nga një pagë, nga katër që kanë për të marrë. Shpresoj se do të bëhet një zgjidhje jo vetëm për ata, por edhe për shqiptarët. Ata nuk kanë ndonjë pagë të madhe, pasi paguhen nën 1 milion lekë të vjetër.

Gjatë këtij sezoni, ju ka ofruar ndonjë prej ekipeve premio përpara ndeshjes?

Po, na ka ofruar, por nuk dua të bëj me dije emrin e ekipit, pasi veprimi që ka bërë nuk ishte korrekt. Ata folën me mua dhe meqë unë nuk pranova, ata kontaktuan me lojtarët dhe kjo gjë nuk më ka pëlqyer.

Keni edhe një ndeshje për të luajtur ndaj Partizanit…

Të njëjtin fat do të ketë edhe Partizani si Skënderbeu, sa i takon impenjimit tonë në fush- ën e lojës. Ne do të bëjmë maksimumin ndaj çdo skuadre që do të luajmë deri në fund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"