Në Berat mbërrin pjesa e tapetit të munguar, Tomori do ta luajë derbin në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2017 | 14:46

Në Berat mbërrin pjesa e tapetit të munguar, Tomori do ta luajë derbin në shtëpi

Tomori do t’i rikthehet më në fund stadiumit të tij. Ditën e djeshme ka marrë fund “telenovela” në lidhje me problematikën e mungesës së tapetit, pasi rreth mesditës së të enjtes, pranë ambienteve të stadiumit, ka mbërritur edhe trajneri me materialet përkatëse, duke nisur nga tapeti artificial, rëra kuarts dhe rëra e gomës, të cilat më pas janë zhvendosur në ambientet e brendshme të impiantit. Në këtë mënyrë, pritet që shumë shpejt të rinisin punimet pas pezullimit që iu bë për gati tri javë.

tomori

Një grup i vogël punonjësish janë parë të merren me sistemimin e materialeve, në mënyrë që ta kenë më të thjeshtë radhën e punës. Sakaq, duke nisur nga dita e sotme pritet që punimet të vijojnë me intensitet të lartë, teksa është parashikuar që “derbi” Tomori-Naftëtari ta gjejë skuadrën beratase në stadiumin e vet dhe pranë tifozërisë që gjatë kësaj periudhe ka qenë shumë skeptike.

DEKLARATA

Në një prononcim për “Panorama Sport”, zyrtarë të lartë në institucionin e Bashkisë së Beratit janë shprehur: “Ka ardhur tapeti, i cili mungonte prej një kohe disi të gjatë, mirëpo ne e kemi shpjeguar edhe më përpara arsyen e kësaj vonese. Realisht diçka e tillë nuk ka ardhur si pasojë e jona, por nga ajo e firmës përkatëse. Megjithatë, nuk dua të zgjatemi për këtë.

Do të mundohemi që gjithçka të jetë gati për sfidën ndaj Naftëtarit, pasi është e papranueshme që të vazhdojmë ende duke luajtur jashtë qytetit tonë. Na është thënë nga firma që do të ketë një numër të lartë punonjësish, në mënyrë që shtrimi i tapetit të kryhet me ritme të larta dhe çdo gjë të mbarojë brenda parashikimeve që u kemi thënë. Në fillim të javës së ardhshme pritet të vijnë edhe portat. Së bashku me to do të jenë edhe disa thasë të tjerë me rërën kuarts dhe rërën gomes”.

TIFOZËT

Në momentin që tapeti ka mbërritur në ambientet e pistës së vrapimit, në tribunën qendrore të stadiumit kanë qenë të pranishëm disa prej tifozëve “veteranë” të skuadrës, të cilët kanë ndjekur me vëmendje të gjithë procedurën e punës. Ata kanë mbetur të kënaqur për vetë faktin se ekipi i tyre nuk do të detyrohet që t’i zhvillojë më ndeshjet jashtë qytetit.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"