Ndryshime rrënjësore te Tomori, një dyshe e re për stolin e beratasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2019 | 19:24

Ndryshime rrënjësore te Tomori, një dyshe e re për stolin e beratasve

Tomori menaxhohet tërësisht nga institucioni i Bashkisë së Beratit dhe pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit priteshin ndryshime te ky klub. Dhe kështu ka ndodhur, teksa janë bërë ndryshime të mëdha në kupolën drejtuese të kësaj skuadre, që sezonin e ardhshëm merr pjesë në Kategorinë e Dytë.

Tomori

Rolin e presidentit të Tomorit e ka marrë tashmë zyrtarisht kryebashkiaku i ri i Beratit, Ervin Demo, i cili duket se ka dëshirën për ta ndihmuar futbollin. Një mision aspak i lehtë, duke gjykuar nga fakti se do t’i duhet ta nisë çdo gjë nga zero, sepse ekipi merr pjesë në kategorinë  më të ulët. Megjithatë, nëse ka vullnet, çdo gjë arrihet.

Kryebashkiaku Demo e ka nisur punën me emërimin e administratorit të ri të klubit dhe ai është Ismet Ajazi. Një emër shumë i njohur në ambientin sportiv beratas, pasi kemi të bëjmë me një personazh që ka qenë edhe më parë në rolin e administratorit të këtij klubi, si dhe një ndër delegatët e FSHF-së. Jo vetëm kaq, ka edhe lëvizje të tjera te beratasit.

Nga burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit beratas mësohet se ditën e hënë pritet të nisin përgatitjet për sezonin e ri dhe skuadra do t’i besohet dyshes Droboniku-Muxhaj. Të hënën është parashikuar të bëhet prezantimi i administratorit Ismet Ajazi, por me shumë mundësi edhe i dyshes së trajnerëve Iken Droboniku dhe Madrit Muxhaj. Kujtojmë se Droboniku e ka drejtuar Tomorin për disa javë, pas shkarkimit të Gentian Stojkut, gjatë vitit 2017, ndërsa Muxhaj është një ndër emrat më të njohur të futbollit beratas. Ish-portieri ka qenë kapiten i Tomorit, por edhe e ka drejtuar nga stoli këtë ekip për disa vite me radhë, duke e mbajtur në majat e Kategorisë së Parë.

Pritet që me këto ndryshime në strukturat drejtuese të ekipit, të nisë ngjitja e Tomorit në Kategorinë e Parë, pse jo edhe më tej. Ngjitja në të Parën është detyrim për beratasit, të cilët kanë traditë në futbollin shqiptar dhe nuk mund të garojnë në Kategorinë e Dytë. Java e ardhshme do të sjellë zhvillime konkrete.

Eris Sylyku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"