Ndreu pret një “dhuratë” nga Superiorja te Kastrioti, krutanët kanë edhe një surprizë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 17:47

Ndreu pret një “dhuratë” nga Superiorja te Kastrioti, krutanët kanë edhe një surprizë…

Kastrioti do të zhvillojë sot një seancë stërvitore të lehtë dhe pas saj do të udhëtojë drejt Pukës, ku do të grumbullohet për ndeshjen me Tërbunin. Ndryshimet e bëra gjatë kësaj merkatoje nuk kanë qenë të shumta, skuadra krutane është forcuar me disa lojtarë, por ka edhe një goditje të fundit, që pritet të konkretizohet shpejt.ramadan ndreu

Trajneri Ramazan Ndreu pohon për “Panorama Sport” se Kastriotit do t’i bashkohet edhe një mesfushor me përvojë në Superiore, por nuk jep detaje të tjera. “Gjatë periudhës së ndërprerjes së kampionatit, skuadra ka marrë ngarkesë dhe grupi është harmonizuar. Jemi gati për kampionatin, kemi afruar dy-tre lojtarë të mirë, që mendoj do të na shërbejnë, si Hyseini, Lena, Prodani, por presim të zyrtarizojmë edhe një lojtar cilësor, një mesfushor.

Sa më shumë lojtarë me cilësi të kemi, aq më mirë është për skuadrën. Kastrioti, në pjesën e parë të kampionatit, ka treguar nivel, ka luajtur shumë mirë dhe kjo duket te diferenca e pikëve. Ndryshimet kanë qenë të vogla, kemi menduar të afrojmë 2-3 lojtarë për të forcuar grupin dhe për të rritur konkurrencën”, ka thënë në fillim trajneri Ndreu.

TËRBUNI – “Për ndeshjen në Pukë jemi të mobilizuar për të vazhduar rrugën e nisur. Shkojmë në Pukë për 3 pikët dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Të jem i sinqertë, kam fjalët më të mira për Tërbunin, që na ka surprizuar me barazimin në Fushë-Krujë. Kjo ndeshje merr vlerësimin maksimal, duke pasur parasysh që në futboll duhet të jesh shumë i kujdesshëm, sidomos me skuadrat që mendohen të lehta në letër”, shton Ndreu.

VAZHDIMËSIA – “Me eksperiencën që kam, mendoj se do të jetë shumë e vështirë, pavarësisht se shkëputur. Skuadrat në grup janë të forta dhe mund të surprizojnë. Më shumë më tremb skuadra ime se kundërshtarët. Këto 7 pikë diferencë i kemi marrë me meritë, por duhet të jemi seriozë në çdo ndeshje që këtë diferencë ta mbajmë”.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"