Ndizet merkato/ Barcelona dhe Arsenali, në kundërsulm për yjet e Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 19:32

Ndizet merkato/ Barcelona dhe Arsenali, në kundërsulm për yjet e Juventusit

Arsenali ka zbarkuar prej gati 3 javësh me një delegacion të rëndësishëm në Itali dhe po punon bindshëm për të përforcuar skuadrën në këtë merkato janari.

Juventus

“Topçinjtë” e Londrës, ndërsa po intensifikojnë bisedimet dhe çdo ditë afrohen gjithmonë e më shumë me bomberin serb të Fiorentinës, Dushan Vlahoviç, kërkojnë edhe një mesfushor dhe një mbrojtës krahu, ku preferencat e tyre janë që të jenë të dy pjesë e Juventusit.

Artur Melo nuk është më një surprizë tashmë për anglezët, madje menaxheri i mesfushorit bardhezi është parë dje në Londër, në zyrat e Arsenalit për të dëgjuar ofertën konkrete, edhe pse nga Torino duket se trajneri Maks Alegri ka ndryshuar papritur, madje ka vënë veton që braziliani të mos largohet deri në fund të sezonit.

Gjithsesi, duke qenë se vetë Artur dukej i joshur nga Arsenali dhe nëse Juvja gjen një zëvendësues të ri, si rikthimi nga huazimi i Rovelës te Xhenoa, pa dyshim që gjithçka mund të ndryshojë dhe të sjellë firmën mes palëve. Ndërsa për mbrojtjen, emri i preferuar nga Arteta është ai i Danilo Luiz, anësori i djathtë i Juves për të cilin në Torino “bëjnë kryqin”, nga Alegri, te drejtuesit e tifozëria, prandaj ky operacion duket një mision i pamundur për “Topçinjtë”, kundrejt bisedimeve dhe akordit me Artur Melon.

BARÇA NË SULM – Gjithsesi, në Torino pritet që në orët e ardhshme të zbarkojnë edhe një grup i besuar i presidentit Joan Laporta. Sërish te Juventusi emrat që katalanasit ndjekin me sukses janë tre: Paulo Dibala që siç dihet është në skadencë kontrate, Federiko Bernardeski gjithashtu në të njëjtat pozita si argjentinasi dhe mbrojtësi Matajs de Ligt, të cilin Mino Raiola ia ka propozuar spanjollëve, pas një akordi të vendosur me Barçën edhe për Erling Halandin.

Emrat në fjalë, sidomos De Ligt, kanë një vlerë shumë të lartë për të mundësuar një tratativë, por nëse për qendërmbrojtësin mund të bisedohet me më shumë qetësi deri në verë, njerëzit e Laportës shpresojnë që të punojnë dhe të bindin si Dibalën dhe Bernardeskin që të mos pranojnë rinovimin me Juven dhe të zbarkojnë në verë me parametër zero, në “Kamp Nou”.

Madje, për Bernardeskin shpresohet edhe një akord që në janar, nëse katalanasit arrijnë të shesin Dembelenë diku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"