“Ndihem fajtor te goli i dytë i Laçit”, kapiteni Gurishta: Ju tregoj çfarë më tha Brdariç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 22:46

“Ndihem fajtor te goli i dytë i Laçit”, kapiteni Gurishta: Ju tregoj çfarë më tha Brdariç

Erdenis Gurishta pranon se mund të kishte bërë të njëjtën gjë si mbrojtësi i Laçit, Erhun Obanor, i cili me një faull taktik ndaj Demir Imerit, shmangu një gol thuajse të sigurt në portën kurbinase, edhe pse u ndëshkua me karton të kuq.

GURISHTA

Në një rast gati identik gjatë ndeshjes, kapiteni i Vllaznisë kishte mundësinë të bënte faull ndaj sulmuesit të Laçit, Harmon, i cili shënoi golin e fitores 1-2 në “Loro Boriçi”. Për këtë Gurishta tregoi edhe bisedën me trajnerin Tomas Brdariç. “Edhe unë ndihem fajtor te goli i dytë.

Kisha mundësi të ndaloja kundërshtarin, por rrezikoja kartonin e kuq. Ishte një fraksion sekonde dhe ashtu e mendova, duke mos bërë faull. Tani që gjykoj me qetësi, ndoshta kam gabuar, sepse nëse bëja faull dhe merrja të kuq, mund të mos e pësonim atë gol.

Unë e kam diskutuar edhe me trajnerin pas ndeshjes këtë rast dhe ai më tha që do të ishte më mirë të merrja të kuq, se sa të lija atë aksion të vazhdonte duke u ndëshkuar ekipi. Gjithsesi, ishte minuta e 70-të dhe nuk dihej se si do të shkonte loja më pas.

Ndoshta edhe me 10 lojtarë mund të kishim humbur apo barazuar. Tashmë diskutojmë pasi ka mbaruar ndeshja, por normalisht po ta dija se do të përfundonte gol ai aksion, sigurisht që do të bëja faull. Edhe Obanor vërtet mund të ketë shmangur një gol, por në atë rast portieri i Laçit doli për ta bllokuar Imerin dhe ndoshta goditja e këtij të fundit mund të mos përfundonte në rrjetë”, ka sqaruar Gurishta në një prononcim për “TV1 Channel” në Shkodër.

Kapiteni kuqeblu foli edhe për lojën në tërësi ndaj Laçit. “Ekipi ishte i hapur, duke gabuar disa herë në pasime dhe kundërshtari na zinte shpeshherë në befasi me kundërsulme. Po luanim me tre mbrojtës dhe Laçi pati hapësira, kjo ndikoi jo pak”, përfundoi 25-vjeçari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"