“Ndeshjet e Championsit shijohen, nuk luhen”, Kale paralajmëron rivalët: Duhet të na kenë frikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2020 | 17:07

“Ndeshjet e Championsit shijohen, nuk luhen”, Kale paralajmëron rivalët: Duhet të na kenë frikë

Elton Kale lëshon sfidën. Tirana nuk është skuadër e thjeshtë, por ekipi që të gjithë duhet ta kenë frikë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i majtë thotë se bardheblutë mund të bëjnë gjëra të mëdha. Kërkon që çunat të harrojnë se çfarë kanë bërë, por të fokusohen se çfarë do të bëjnë. Ja intervista me Elton Kalenë…
elton kale
Elton, vini nga një ndeshje shumë e fortë me Zvezdën ku keni dhënë gjithçka në fushën e lojës…
Zhvilluam një ndeshje të madhe. Një ndeshje që e kishim përgatitur shumë mirë, që trajneri e kishte përgatitur shumë mirë dhe në çdo detaj. Unë personalisht, luajta për ta shijuar dhe e shijova atë gjatë 90 minutave. Për mua ishte një ndeshje e madhe. Mendimi im është që ndeshjet e Champions-it shijohen dhe jo luhen.|

Skuadra ka bërë gjithë këtë merkato. Janë afruar dhe larguar futbollistë të ndryshëm. Jeni gati për të nisur mbrojtjen e titullit?
Është herët për të folur për kampionatin. Në fillim duhet të mbyllen afrimet dhe largimet dhe më pas të mendohet për kampionatin. Gjithsesi, po jua them se Tirana do të jetë në “top”. Nuk do të jetë Tirana e para dy viteve. Do të luftojmë për titullin. Që tani, të gjithë duhet ta kenë frikë Tiranën.
tirana kukesi
Kampionatin e nisni me Kukësin, një sfidë mes kampiones dhe nënkampiones së Shqipërisë…
Po, e nisim me Kukësin, por më parë duhet të luajmë me Teutën në Superkupën e Shqipërisë. Në këto dy ndeshje, duhet të jemi gati për të nisur në maksimum. Duhet të harrojmë çfarë kemi bërë sezonin e shkuar në kampionat dhe në Kupat e Europës. Duhet të mendojmë për sezonin e ri.

Skuadrën e shihni më të fortë se sezoni që shkoi apo më të dobësuar?
Siç e keni parë përditë, në skuadër janë afruar dhe larguar shumë lojtarë. Duhet ta shohim në fund. Thjesht ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të luftojmë të gjithë. Të bëjmë secili punën tonë. Të japim maksimumin. Nëse e bëjmë këtë gjë, do ta kemi kuptuar se kemi bërë gjëra të mëdha. Në fund, sigurisht do të shpërblehemi.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"