Ndeshja me Çelsin, Leao ndihet gati: Milani në fatin tim, nuk gabojmë në Londër!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 11:15

Ndeshja me Çelsin, Leao ndihet gati: Milani në fatin tim, nuk gabojmë në Londër!

Rafael Leao është një nga katër lojtarët e vetëm me të paktën katër gola të shënuar dhe katër asiste në pesë ligat kryesore europiane në zhvillim. Këtë statistikë portugezi i Milanit e ndan së bashku me lojtarë të kalibrit të Lionel Mesit dhe Nejmarin.

LEAO

Ndërkohë, në Champions nuk ka shënuar ende dhe është ndalur në tri asiste. Në kuadër të ndeshjes së sotme kundër Çelsit, 23-vjeçari ka dhënë disa deklarata për faqen zyrtare të UEFA-s.

“Ka qenë e shkruar që të luaja futboll, por jetoja në një lagje të varfër dhe nuk ishte e lehtë. Nëse besojmë në veten tonë, mund të shkojmë larg. Isha 19 vjeç kur u largova nga Lisbona për t’u transferuar te Lila dhe nuk ishte e lehtë”, deklaroi Leao.

SI KUQEZI – Pas vetëm një viti në Francë erdhi momenti për të zbarkuar te Milani. Portugezi rikujton verën e vitit 2019 dhe tregon:

“Kur Milani më kontaktoi u gëzova pa masë. Isha i lumtur, por edhe i shqetësuar sepse më donte një nga klubet më të mëdha në Europë. Nuk mund të refuzoja.

Por të shkosh në një klub të ri nuk është e lehtë, aq më tepër në moshën time.

LEAO 2

Ndjeva se nuk mund ta përballoja presionin, nuk mund të përgjigjesha pozitivisht në fushë. Sidoqoftë, nuk mund ta humbisja rastin për të vërtetuar forcën time dhe e dija se klubi nuk do të më shiste ngaqë të gjithë besonin tek unë”.

Me kontratën që i skadon pas dy vjetësh, Leao po komentohet për rinovimin. Asnjë koment në lidhje me këtë aspekt, megjithatë sulmuesi nuk harron:

“Besimi i klubit më ndihmoi të rritesha e të përmirësohesha. Sot ndiej se jam një burim për klubin dhe ekipin, ndaj dua të ndihmoj sa më shumë shokët”.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"