Ndeshja e fundit ndaj Dinamos si test për rezervat dhe talentet e ekipit, Ramadani kursen titullarët e Egnatias për Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2022 | 18:20

Ndeshja e fundit ndaj Dinamos si test për rezervat dhe talentet e ekipit, Ramadani kursen titullarët e Egnatias për Korabin

Ndaj Vllaznisë trajneri Zekirija Ramadani preferoi të luante me formacionin më të mirë, me qëllim ruajtjen e gjendjes fizike të lojtarëve titullarë. Të enjten Egnatia do të presë Dinamon në përballjen e fundit të këtij sezoni. Të dyja ekipet do të përballen në ndeshjen e tyre ndoshta të vetme në historinë e dy klubeve, ku asnjëra palë nuk është se ka ndonjë dëshirë të etur të fitojë.

EGNATIA

Dallimi mes tyre qëndron në faktin se nëse Dinamo i ka larë duart nga Kategoria Superiore në këtë sezon, Egnatia ka edhe një shans tjetër, atë të “play out”-it për të qenë përsëri pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Kjo është arsyeja që trajneri Zekirija Ramadani ka vendosur që ndaj Dinamos të lërë pushim disa prej lojtarëve titullarë, pasi pritet që më datë 30 ose 31 maj, ata të presin në stadiumin “Egnatia Arena” Korabin, që mposhti Apoloninë në finalen e “play off”-it për Kategorinë e Parë. Rrogozhinasit shihen si favoritë absolutë për këtë ndeshje.

Trajneri Ramadani e ka thënë edhe publikisht këtë fakt, por kjo se ka penguar ta mendojë seriozisht këtë përballje. Ndaj Dinamos mësohet se do të aktivizohen lojtarët që nuk kanë arritur të marrin minutat që dëshirojnë gjatë kampionatit. Në anën tjetër kjo sfidë shërben edhe si testi i fundit për lojtarët e stolit. Në këtë ndeshje ata kanë shansin e fundit për të bindur klubin t’i mbajë. Kush do të arrijë të bjerë në sy në sfidën e së enjtes, ka më shumë shanse për të qëndruar. Në kampin rrogozhinas vijon tradita që në seancat stërvitore të mos mungojë asnjëherë presidenti Agim Demrozi.

Në bisedat e tij me stafin dhe futbollistët, kryefjala mbetet sfida e fundit me Korabin, por që të gjithë pa përjashtim, as që e vënë në diskutim se do të jenë ata fitues. Shto faktin se ndeshja do të zhvillohet në Rrogozhinë dhe jo vetëm futbollistët njohin çdo cep të fushës, por prezenca tejet e madhe, që pritet nga tifozët është një armë më shumë në favor të tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"