“Ndaj Teutës do të na ndihmojë rikthimi i De Silvës”, Ndreu komenton dënimin nga Disiplina: Ndeshjen do ta ndjek në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 13:30

“Ndaj Teutës do të na ndihmojë rikthimi i De Silvës”, Ndreu komenton dënimin nga Disiplina: Ndeshjen do ta ndjek në…

Kastrioti do të presë sot Teutën në stadiumin e Kamzës për të kërkuar pikët e shpresës që do ta mbanin në Superiore. Trajneri Ramazan Ndreu e ka të pamundur të drejtojë skuadrën nga pankina pas dënimit nga Disiplina, por gjithsesi ai do të jetë në tribunë dhe në kushtet kur nuk ka tifozë, zëri i tij natyrisht që do të ndihet nga lojtarët. Në intervistën për “Panorama Sport”, Ndreu komentoi vendimin e Disiplinës, duke sqaruar edhe faktin se dënimi nuk ia mohon qëndrimin në stadium. Ai beson se sot Kastrioti do të bëjë kthesën e madhe.

ndreu

Disiplina ju pezulloi 5 ndeshje, madje duke ndaluar hyrjen në çdo stadium ku ka aktivitet sportiv. Keni një koment për këtë dënim?

Më lejoni t’ju korrigjoj, pasi nuk është i tillë dënimi. Ka qenë një gabim në përshkrimin që i është bërë pezullimit dhe komisioni në federatë e ka korrigjuar. Te kjo pjesë nuk ka asnjë problem dhe do të jem në tribunë. Sa i takon dënimit me 5 ndeshje, mendoj se është pak i ekzagjeruar, për vetë faktin se thjesht nga ana ime pati disa replika në fushë dhe asgjë më shumë. Ndaj, mendoj që është shumë. Megjithatë, të themi të vërtetën, ka pasur momente që ndoshta e kemi kaluar atë cakun që është i lejueshëm. Gjithsesi, do ta respektoj vendimin e Disiplinës dhe do të jem i pranishëm në tribunë.

Si është përjetuar postndeshja me Tiranën dhe dënimet?

Sigurisht që kanë ndikim, por dua të them që me Tiranën humbëm një ndeshje që luajtëm mjaft mirë dhe kjo është pozitive, pasi dhe me Teutën ne do të jemi me maksimumin e ritmit dhe forcave për të marrë atë që na duhet patjetër.

Çfarë ju duhet me Teutën kryesuese?

Rezultat pozitiv me Teutën unë quaj fitoren. Është një ndeshje shumë e vështirë, me një kundërshtar të fortë, pasi jo më kot është në vendin e parë. Ajo që mua më ngroh shumë në këtë ndeshje është rikthimi i Huseinit, De Silvës, Prodanit dhe Shkallës, që janë lojtarë bazë.

Ju jep besim rikthimi i këtyre lojtarëve apo më shumë shpresoni te një reagim i skuadrës pas kësaj ecurie negative?

Jemi një skuadër që nuk është se kemi kontigjent të madh lojtarësh, por me 3-4 lojtarë rritim cilësinë dhe konkurrencën. Sidomos sulmuesi De Silva, i cili është një pikë referimi për skuadrën tonë. Fakti është që ne zhvillojmë volum loje në krah dhe qendër, por kemi çaluar në finalizim. Me rikthimin e De Silvës edhe nga ana psikologjike skuadra është më mirë dhe e dinë që kanë një lojtar që i çon më afër golit.

Ndihet presion në skuadër, pasi distanca me rivalët është vetëm një pikë?

Futbolli i tillë është duhet të pranosh rezultatin, me 2-3 pikë lëvizin skuadrat për titull dhe mbijetesë. Niveli është aty-aty, por ne do të përpiqemi që ta shtojmë distancën me rivalët e mbijetesës dhe të jemi sa më të qetë. Gara është e hapur dhe mendoj se do të ketë ndershmëri deri në ndeshjen e fundit. Kam besim se do të marrim fitoren ndaj Teutës.

KA

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"