“Ndaj Apolonisë luajmë një finale”, flet Taipi: Skënderbeun e shoh një ekip më shumë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2021 | 18:01

“Ndaj Apolonisë luajmë një finale”, flet Taipi: Skënderbeun e shoh një ekip më shumë…

Fitorja në Kupë ishte një stimul më shumë për Skënderbeun për të vijuar me të tilla rezultate edhe në kampionati përveç faktit që ky kualifikim vlen mjaft edhe për një tjetër kompeticion që korçarët e kanë në listën e dëshirave. Kualifikimi përballë Dinamos duket se rriti moralin në radhët e Skënderbeut që tashmë janë më të qetë psikologjikisht për të tentuar fitoren në ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë. Kampionati është objektivi kryesor për korçarët dhe shpëtimi i sezonit. Kjo ndeshje e radhës shikohet si pika e ndarjes së pretendimeve për bardhekuqtë. I këtij mendimi është edhe mesfushori Shqiprim Taipi. 24- vjeçari e cilëson sfidën me Apoloninë si ndeshjen kyçe të sezonit, një finale për Skënderbeun, ku edhe barazimi nuk i hyn në punë, pasi kundërshtarët e korçarëve janë pikërisht Apolonia dhe Bylisi. Prandaj fitorja rikthen shpresat për të shkuar te mbijetesa.

shqiprim taipi

“Jemi të bindur që shpëtimi i sezonit tonë nuk vjen nga Kupa, por nga kampionati. Megjithatë, edhe Kupa nuk duhet lënë pas dore. Kalimi në gjysmëfinale ishte diçka që e donim dhe ia arritëm. Kjo tregon se i kemi mundësitë që të bëjmë gjëra të mira, nëse të gjithë jemi të bashkuar dhe japim maksimumin. Kjo ndeshje e fituar dhe kualifikimi le të shërbejë si një motivim plus për ne për ndeshjen e radhës në kampionat. Kemi një finale për të luajtur dhe ndaj Apolonisë duhet të japim gjithçka nga vetja jonë. Pavarësisht se ka edhe shumë javë deri në fund të kampionatit, kjo ndeshje vlen për ne sa një sezon i tërë. Nëse nuk arrijmë të marrim maksimumin, gjërat komplikohen edhe më shumë. Është një nga ato takime ku barazimi nuk na hyn në punë, vetëm fitorja. Prandaj duhet të hyjmë në fushë me një objektiv të vetëm. Cilësitë i kemi dhe duhet që të bëjmë më të mirën dhe mund të dalim me tri pikë nga Fieri”, theksoi Taipi për “Panorama Sport”.

SEZONI – Mesfushori i Skënderbeut përmendi faktin se korçarët kanë më shumë cilësi se kundërshtarët ndaj shpresojnë te shpëtimi i sezonit. “Jemi në një pikë ku ‘play out’-i duket më afër se çdo gjë dhe më se i mundshëm. Pavarësisht se janë edhe shumë javë për të luajtur, do të tentojmë të lemë pas dy ekipe. Jemi afër me pikë dhe kjo është fakt. Plus kësaj, unë e shikoj Skënderbeun ekip më cilësor nga treshja e fundit dhe për këtë arsye mund t’ia dalim”, përfundoi mesfushori.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"