“Na pret sfidë e fortë”, Gvozdenoviç nuk i zë “besë” Korabit: Të vijojmë me fitoret, por duhet shumë kujdes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2023 | 10:20

“Na pret sfidë e fortë”, Gvozdenoviç nuk i zë “besë” Korabit: Të vijojmë me fitoret, por duhet shumë kujdes

Skënderbeu do të lua jë sot në orën 15:00 ndaj Korabit në Korçë, në një takim të një rëndësie të veçantë për bardhekuqtë, të cilët janë në vendin e parë dhe duan ta mbajnë të pandryshuar deri në fund këtë pozicion. Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç, Korabi është një kundërshtar i vështirë, që meriton respekt maksimal, por nga ana tjetër ka kërkuar nga të tijtë që të mos harrojnë se janë Skënderbeu dhe duhet të hyjnë në çdo ndeshje për fitore. Në këtë sfidë korçarët nuk do të kenë të gatshëm dy titullarë si Erlis Frashëri dhe Oltion Rapa, të cilët kanë plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. Megjithatë, në intervistën për “Panorama Sport”, Gvozdenoviç shprehu besimin e tij maksimal se ekipi do të tregojë më të mirën kundër dibranëve.

gvozdenovic

Ivan, çfarë ndeshjeje prisni me Korabin?

Si gjithmonë do të presim një ndeshje shumë të fortë. Korabi është një ekip shumë i mirë dhe me eksperiencë në Kategorinë e Parë. Ndaj edhe për këto sa thashë, na pret një ndeshje impenjative. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm te cilësitë tona. Jemi Skënderbeu dhe kemi objektiv të qartë që të kalojmë në elitë. Jemi të vetëdijshëm se çfarë na pret dhe atë që duhet të bëjmë për ta mbajtur këtë vend deri në fund. Jemi të gjithë gati dhe do të bëjmë punën tonë si duhet në këtë takim.

Fakti që Korabi është i qetë në atë pozicion dhe ka pak shanse për të kapur kalimin direkt, e bën më të lehtë për ju këtë takim?

Absolutisht që jo. Jam i bindur për këtë, sepse të gjitha ndeshjet janë të forta dhe nuk ka asnjë dyshim që ka për të qenë edhe kjo një ndeshje e fortë. Ata janë një ekip me eksperiencë dhe kanë objektivat e tyre. Ne nuk duhet të nisemi aspak nga kjo pjesë, por do të shohim këtë sfidë si një finale të radhës. Do të bëjmë një ndeshje shumë të fortë dhe jemi gati për sot.

Pa Frashërin dhe Rapën në këtë takim. Si do të jetë Skënderbeu?

Nuk besoj se do të kemi probleme, pasi janë pjesa tjetër e ekipit që unë i kam parë gati dhe të përgatitur mendërisht dhe fizikisht për të bërë mirë. Normalisht që janë dy lojtarë të rëndësishëm për ne dhe mungesa me peshë, por unë jam i bindur se ne kemi një grup të fortë. Kemi shumë element që mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin. S’kam asnjë mangësi në skuadër.

Në katër javët e mbetura sa besoni se Skënderbeu qëndron në krye?

Kemi katër ndeshje të forta, dy në shtëpi dhe dy në transfertë. Do të mundohemi që të mbajmë lart frymën e grupit dhe të japim maksimumin. Unë personalisht jam i bindur që e mbyllim në vendin e parë, por duhet të bëjmë shumë kujdes nga njëra ndeshje në tjetrën.

Sa herë luani për Pashkë në Korçë keni fituar. A do të vazhdojë kjo statistikë pozitive në prag të kësaj feste?

Me ndihmën e Zotit po. Ky është një fakt shumë interesant. Duhet të vijojmë në këtë rrugë. Prandaj e nisim me një urim. Gëzuar Pashkën gjithë shqiptarëve dhe sidomos korçarëve.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"