Elvis Sina: Tirana do t’u surprizojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2013 | 13:02

Elvis Sina: Tirana do t’u surprizojë

SinaEdhe pse nga skuadra janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm, për ish-kapitenin e bardhebluve, Elvis Sina, Tirana përsëri mbetet një skuadër kompetitive. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, mbrojtësi ka treguar edhe marrëdhëniet mes tij dhe trajnerit Nevil Dede, si dhe problematikën financiare në klub.
Keni luajtur vetëm disa minuta gjatë miqësores me Tërbunin, keni ndonjë dëmtim apo thjesht zgjedhje e trajnerit?
Jo, fatmirësisht nuk kam asnjë dëmtim dhe po punoj si asnjëherë tjetër në këto dy vite të fundit për të kapur formën time optimale. As vjet dhe as parvjet unë nuk munda të bëj një fazë përgatitore të rregullt, pasi isha i dëmtuar dhe vetëm tani po e ndiej sesa të nevojshme e kam pasur, për të kapur formën time.
Ju mundon fakti që nuk shiheni më si titullar i padiskutueshëm?
Jo, nuk e shikoj me atë sy. Normal, unë nuk jam më 20 vjeç, ndaj e kuptoj që e ardhmja është e më të rinjve, por kjo nuk do të thotë që nuk do bëj të pamundurën për të qenë në nivel, dhe pse jo edhe më mirë sesa kolegët në skuadër. Pastaj është trajneri ai që vendos se kush luan titullar dhe kush jo.
Si janë marrëdhëniet tuaj me trajnerin?
Korrekte dhe profesionale. Unë kam pasur fatin të luaj me të edhe si lojtar te Tirana, ndaj në këtë këndvështrim them se nuk ka më mirë, pasi ai më njeh mirë. Nuk kam pasur asnjëherë përplasje dhe jam munduar që t’i ndjek me përpikëri detyrat që ai cakton.
Po me klubin?
Edhe me drejtuesit e klubit kam pasur dhe kam marrëdhënie korrekte, këto të lidhura ngushtë edhe me pjesën kontraktuale që unë kam pasur me Tiranën.
Dakord, po klubi ka qenë korrekt me ju?
E di ku doni të dilni, por unë e shikoj si një problem kalimtar. Të gjithë e dinë që Tirana, ashtu si pjesa më e madhe e klubeve në vendin tonë, kanë probleme likuiditeti, por unë jam koshient gjithashtu se drejtuesit po bëjnë të pamundurën për t’i zgjidhur këto probleme. Pikërisht për këtë arsye jam edhe sot këtu dhe vazhdoj të kontribuoj për klubin që më ka nxjerrë si futbollist.
Pra, po thoni se ju, në ndryshim nga shumë ish-kolegë, nuk do ta padisni klubin në DHZK për pagat e prapambetura?
Jo, nuk besoj se do të shkojmë deri aty. Sigurisht unë kam kontratë me klubin dhe do kërkoj që ajo të zbatohet, pasi futbolli për mua është profesion, por besoj se do të gjendet një zgjidhje.
Në ç’kuptim? Me sa kam informacion, ju nuk keni rinovuar ende kontratën…
Në fakt, kam rënë parimisht dakord me drejtuesit e klubit para se të nisesha në fazë përgatitore dhe kur të kthehem, do të ulem me administratorin për të biseduar, si për pjesën e rrogave të prapambetura, ashtu edhe për kontratën e re. E di çfarë, realisht kjo gjë nuk më shqetëson, pasi besoj se do gjej gjuhën e përbashkët me drejtuesit. Askush te Tirana nuk dëshiron që problemi i financave të mbetet i pazgjidhur dhe të gjithë punojnë në mënyrë të drejtë që klubi të ecë përpara.
Nga organika aktuale janë larguar shumë lojtarë, a mendoni se Tiranën e pret një sezon i vështirë për shkak të këtyre të fundit?
Një sezon i vështirë, sipas mendimit tim, do jetë për të gjitha skuadrat dhe jo vetëm për Tiranën. Sa u përket largimeve, nuk mund ta mos e pranoj që është një handikap që duhet rregulluar sa më shpejt. Ata që janë larguar janë emra me peshë në kampionatin tonë, por kam përshtypjen se klubi po punon për t’i zëvendësuar. Sakaq, klubi ka një strategji tjetër këtë sezon, teksa po afron lojtarë të rinj me perspektivë, por unë mendoj se duhen edhe disa afrime cilësore, të cilat do të ekuilibrojnë forcën fizike dhe eksperiencën.
Nëse sezoni do të niste nesër, ku e shikoni këtë Tiranë në raport me objektivat?
E para, fatmirësisht sezoni nuk nis nesër dhe klubi do të kohë që të bëjë ende merkato. Së dyti, edhe ekipet e tjera në Superiore janë pak a shumë në nivelet tona dhe nuk kanë bërë ndonjë afrim të bujshëm. Së treti, pavarësisht se Tirana ka sot shumë emra të rinj, vetëm emri që ka ky klub të imponon që të gjithë të luajnë për trofe. Sesa do arrihet një gjë e tillë, nuk di ta them, por tradita e Tiranës ka qenë dhe mbetet te objektivat më të larta sezonalë, kupë dhe kampionat.

Miqësorja
Tirana do të zhvillojë nesër pasdite një miqësore me Dinamon në kompleksin stërvitor “Skënder Halili” në kryeqytet. Lajmi konfirmohet edhe nga zyra për shtyp e klubit bardheblu. Trajneri Dede kërkon të testojë sa më shumë lojtarët që ka në dispozicion dhe këtë mund ta bëjë natyrisht duke zhvilluar ndeshje miqësore. Një të tillë Tirana e luajti edhe pasditen e së dielës ndaj Tërbunit të Pukës, të cilën e fitoi falë dopietës së të riut Glori Hoxha.
LEONARD KARAJ / DITMAR PEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"