Mungon leja e ndërtimit, kaos për menaxhimin e stadiumit “Loro Boriçi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 23:36

Mungon leja e ndërtimit, kaos për menaxhimin e stadiumit “Loro Boriçi”

Bashkia Shkodër ka njoftuar anëtarët e Këshillit Bashkiak se ka nisur kërkesën nëpërmjet një sërë shkresash për marrjen në dorëzim të stadiumit “Loro Boriçi”. Për anëtarët e Këshillit Bashkiak, nisja e bisedimeve me FSHF-në për stadiumin pas 3 vitesh është thuajse e papranueshme sepse duhej të ishte bërë shumë më përpara. Ai që foli për këtë është anëtari Fatlum Nurja, duke e cilësuar si qesharake korrespondencën e shkresave mes bashkisë dhe FSHF-së.

Loro Borici Shqiperi-Spanje.jpg

“Sjell informacion kryetarja se FSHF-ja nuk ka paraqitur fotokopje të lejes së ndërtimit etj. Kjo ndodh pas 3 vitesh pasi ka nënshkruar një marrëveshje për t’ia dhënë FSHF-së me qira stadiumin. Bashkia nuk e merr në dorëzim një pronë që ka tri vite që ia ka dhënë me qira, pra a e kuptoni sa qesharake është kjo situatë?”, ka deklaruar ai.

KËRKESA E FEDERATËS

Më 11 korrik të këtij viti, FSHF i është drejtuar me një shkresë Bashkisë Shkodër duke i propozuar dy variante: ose stadiumin ta menaxhojë plotësisht FSHF-ja, në bazë të një marrëveshjeje të posaçme për ndeshjet e Vllaznisë, ose ta menaxhojë plotësisht Bashkia Shkodër, por duke ia vënë në dispozicion FSHF-së për ndeshjet e ekipeve kombëtare në bazë të një marrëveshjeje mes palëve.

Loro Borici

Më përpara, në këtë shkresë të përpiluar nga sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku, i rikujton bashkisë se federata gjatë këtyre 3 viteve ka bashkëfinancuar për rikonstruksionin e stadiumit 2 miliardë e pesëqind milionë lekë, ndërsa rreth 1 milion lekë në muaj janë shpenzime që kanë shkuar për mirëmbajtjen, ruajtjen fizike, pastrimin, energjinë elektrike dhe pagat e punonjësve. Sipas FSHF-së, në shkresë thuhet se faza e rikonstruksionit të fushës, tribunave, fasadës dhe gjithë komponentëve të impiantit sportiv ka përfunduar dhe qyteti i Shkodrës ka në dispozicion një stadium modern me kapacitet dhe infrastrukturë të nivelit 4, i përshtatshëm për të mirëpritur ndeshje ndërkombëtare sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFAs.

FSHF i bën të ditur Bashkisë Shkodër se në kushtet aktuale vijon të mbulojë me të ardhurat e veta shpenzimet për mirëmbajtjen e zakonshme të stadiumit dhe është në pamundësi për ta vënë në shfrytëzim maksimal infrastrukturën për sa kohë menaxhimi i të ardhurave mbetet i paqartë. “FSHF, – vijon shkresa, – beson se impianti ‘Loro Boriçi’ mund të gjenerojë të ardhura përtej shitjes së biletave dhe mbulimit të shpenzimeve me kusht që të menaxhohet në mënyrë efektive nga profesionistë dhe të ketë transparencë për administrimin.

Për këtë arsye, FSHF ka ofruar dy mundësi duke propozuar që stadiumi i Shkodrës të menaxhohet ose nga bashkia duke lejuar ndeshjet e ekipeve kombëtare, ose nga FSHF duke lejuar ndeshjet e Vllaznisë, kjo në secilin prej propozimeve me një marrëveshje mes bashkisë dhe FSHF-së”. Përgjigjja e bashkisë Në përgjigje të kësaj shkrese, Bashkia Shkodër i ka bërë të ditur federatës: se për marrjen e stadiumit në dorëzim mungojnë disa dokumentacione të rëndësishme si, leja e ndërtimit, akti i kolaudimit apo edhe disa të tjera.

faksimilet55

Bashkia nuk do e marrë stadiumin në dorëzim nëse nuk plotësohet dokumentacioni përkatës. Në informacionin e paraqitur në Këshillin Bashkiak, kryebashkiakja Voltana Ademi u bën me dije se ka nisur procesi për marrjen në dorëzim të stadiumit. Për këtë arsye, që më 26 qershor, para se FSHF të sillte dy propozimet e saj, bashkia ka ngritur një grup pune për verifikimin e dokumentacionit ligjor, i cili përbëhej nga 24 dosje tekniko-ligjore me një total dokumentacioni prej 3851 dokumentesh. Nga verifikimet e bëra rezulton se FSHF nuk ka dorëzuar ende dokumentin e lejes së ndërtimit bashkë me aktet e kontrollit që janë: përfundimi i fasadave dhe rifiniturave të strukturës së re duke përfshirë instalimet elektrike, të ngrohjes, ftohjes, hidraulike dhe komunikimit elektronike. Përfundimi i sistemit të jashtëm në planin e vendosjes së strukturës së re përfshirë dhe lidhjen me infrastrukturat publike ekzistuese.

voltana-ademi-bashkia-shkoder-470x308

Të gjithë këto akte kontrolli duhet të jenë të shoqëruara me një deklaratë përgjegjësie të plotësuar nga subjekti ose personi fizik a juridik që i ka hartuar sipas fazave të grafikut të punimeve dhe afatit të lejes. Gjithashtu, Bashkia Shkodër në përgjigjen e saj bën me dije se nga ana e FSHF-së mungon edhe relacioni përmbledhës i mbikëqyrësit të punimeve për të gjithë periudhën prej fillimit deri në përfundim të objektit shoqëruar tabelën e likuidimit sipas situacioneve: situacioni përfundimtar i punimeve, akti i kolaudimit përfundimtar të objektit, vërtetimi i institucioneve përkatëse për lidhjen me energji elektrike, ujësjellës-kanalizime, si dhe certifikatën nga shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, oponencën teknike të objektit dhe certifikatën e përdorimit të objektit.

KËRKESA PËRFUNDIMTARE

Në këtë mënyrë, duke mos pasur kryesisht lejen e ndërtimit të dorëzuar, aktin e kolaudimit bashkë me disa të tjera, Bashkia Shkodër i bën me dije FSHF-së se të gjitha këto janë të parashikuara në nenin 4 të marrëveshjes që kanë së bashku të nënshkruar 3 vite më parë. Sipas bashkisë, pjesë e marrjes në dorëzim të stadiumit “Loro Boriçi” duhet të jetë zbatimi i normativave për infrastrukturën e stadiumeve nga UEFA dhe për këtë duhet një vërtetim, shkresë, konfirmim që stadiumi i plotëson këto kritere.

scscs

Bashkia thotë se FSHF duhet të plotësojë këtë dokumentacion, në mënyrë që të vijohet me procedurën e marrjes në dorëzim të punimeve të stadiumit të Shkodrës. Tashmë është e qartë se do të duhet edhe shumë kohë dhe shumë shkresa të tjera ndërmjet FSHF-së dhe Bashkisë Shkodër deri në përfundimin e procesit të marrjes në dorëzim të stadiumit nga ana e bashkisë. Tri vite më parë, Bashkia Shkodër dhe FSHF firmosën një marrëveshje për dhënien me qira të stadiumit të Shkodrës për llogari të FSHF-së, marrëveshje që vazhdon të jetë në fuqi derisa të përfundojë procesi i dorëzimit. Në gjithë këto tri vite, klubi Vllaznia nuk ka marrë asnjë të ardhur nga stadiumi i qytetit për shkak se kanë shkuar në llogarinë e FSHF-së, kjo në bazë të marrëveshjes mes tyre.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"