Mungon Danaj, trajneri i Besëlidhjes: Edhe një pikë do të na kënaqte me Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2021 | 12:16

Mungon Danaj, trajneri i Besëlidhjes: Edhe një pikë do të na kënaqte me Tomorin

Besëlidhja mbylli përgatitjet dhe mori që dje rrugën drejt Beratit, atje ku sot do të masë forcat me Tomorin. Lezhjanët udhëtojnë me mungesa, por Alban Bruka nuk heq dorë nga misioni. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thotë:

alban bruka

“Jemi gati për të sfiduar Tomorin. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme dhe ky kampionat po dëshmon se është i paparashikueshëm. Kemi shumë surpriza, aq sa për çdo javë ndryshon renditja në mënyrë dramatike. Pjesë e kësaj vorbulle jemi bërë edhe ne, ndaj lufta jonë do të vazhdojë derisa të jemi në rrugën e duhur për mbijetesë.

Ne e vlerësojmë dhe e respektojmë Tomorin. E njohim shumë mirë, ndaj jemi munduar që gjatë javës stërvitore të karikohemi maksimalisht. Çdo ekip niset vetëm për fitore, ndërsa rezultatin e vendos fusha.

Edhe ne kësaj i qëndrojmë. Në këtë transfertë mjaft të vështirë, po nisem me disa mungesa të rëndësishme, duke filluar nga goleadori Ruben Danaj dhe disa të tjerë. Jam munduar të ndërtoj një formacion që të më kënaqë, pasi edhe stolin e kemi cilësor.

Shpresoj që në Berat të dëshmojmë arsenalin tonë më të mirë dhe të mos kthehemi duarbosh. Edhe një pikë vlen për të avancuar sadopak në renditje”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"