Mund të përfundojë në duart e kirurgëve, sulmuesi i Tiranës rrezikon operacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 8:30

Mund të përfundojë në duart e kirurgëve, sulmuesi i Tiranës rrezikon operacionin

Ismael Dunga rrezikon operacionin pas një dëmtimi serioz. Lojtari kenian i Tiranës, i cili u bashkua në verë me bardheblutë, është dëmtuar që para ndeshjes me Skënderbeun. Futbollisti bëri një rezonancë magnetike, nga ku rezultoi një dëmtim në këmbë. Diagnoza ishte e qartë. Duhet të qëndronte pushim të paktën katër javë. 

ismael dunga

Aktualisht kanë kaluar 14 ditë dhe lojtari akoma nuk është paraqitur në stërvitje. Sulmuesi vazhdon të vuajë dëmtimin dhe nëse gjendja e tij nuk përmirësohet, rrezikon që ta shohë veten në sallën e operacionit.

Mjekët e Tiranës thonë se gjasat janë që ai të bëhet gati për janarin, pra për gjashtë javë, por nëse nuk ia del, atëherë sulmuesit do t’i duhet ta shohë veten të operuar, gjë që do ta shtonte edhe më shumë kohën e riaftësimit. Në fakt, Tirana ka kohë që vuan problemet me dëmtimet për shkaqe të ndryshme, sidomos prej fushës me bar sintetik. Do të shohim në ditët në vazhdim gjendjen e Dungës, por shpresohet që ai të mos e provojë thikën.

ismael dunga

Ish-sulmuesi i Luftëtarit firmosi në korrik një kontratë 2-vjeçare me 24 herë kampionët e vendit. Paraqitja fantastike me gjirokastritët bindi drejtuesit bardheblu për ta afruar në skuadër futbollistin nga Kenia. Ai madje ka qenë një nga ata, që në një takim të vetëm ka shënuar tre gola ndaj Partizanit, ama problemet e kenianit në Shqipëri kanë qenë të shumta. Kohë më parë, lojtari i sulmit rrëfeu se klubi i mëparshëm (Luftëtari) i kishte bërë një “lojë” me kontratën. Më pas, për pak sa nuk u arrestua nga policia pasi ishte pa patentë.

Në tetë takime me Tiranën, Ismael Dunga ka koleksionuar 353 minuta në kampionat. Ka luajtur tri takime titullar kundër Luftëtarit, Bylisit dhe Laçit dhe pak minuta me Flamurtarin, Skënderbeun, Vllazninë dhe Teutën. Futbollisti gjithashtu ka shënuar edhe tre gola, duke pasur një raport shumë të mirë mes rrjetave të shënuara dhe minutave të të qenit në fushën e lojës.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"