MUAY THAI /Ervis Bici, kampion Europe me gjak në sheshin “Skënderbej”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2021 | 20:15

MUAY THAI /Ervis Bici, kampion Europe me gjak në sheshin “Skënderbej”

Ervis Bici ka marrë mbrëmjen e djeshme një prej fitoreve më të rëndësishme në karrierën e tij në Muay Thai. 39-vjeçari kuqezi triumfoi me pikë ndaj marokenit Abdul Kasimi, pas një sfide tepër emocionuese të zhvilluar në arenën e improvizuar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

bici

“Shqiponja e Zezë” bëri një paraqitje heroike ndaj një kundërshtari shumë të fortë, duke treguar shpirt të lartë gare edhe zemër të madhe edhe në momentet më të vështira. Bici ia doli të rrëmbejë titullin europian “MTBSA”, duke e kthyer në festë eventin e zhvilluar në kryeqytet. Një spektakël i vërtetë në qendrën e Tiranës, që dhuroi koncert dhe 8 duele, duke kulmuar me përballjen Bici-Kasimi.

Ndeshja me 5 raunde nga 3 minuta ishte e luftuar që nga fillimi e deri në fund, me dy rivalë që u treguan tepër agresivë. Në raundin e parë kishte ekuilibër, ndërkohë raundi i dytë ishte më i mirë për 31-vjeçarin maroken. Në këtë raund, Bici pëson edhe një të çarë në kokë, pasi merr një goditje me bërryl.

ervis bici

Megjithatë, luftëtari shqiptar tregon shpirt të lartë gare dhe arrin të rezistojë, për t’u hedhur në sulm në raundin e tretë, aty ku tregon diçka më tepër se kundërshtari. Edhe në raundin e katërt është Bici ai që sulmon më tepër, edhe pse Kasimi tregohet i rrezikshëm me goditjet e tij.

Bici kërkon me çdo kusht fitoren, duke sulmuar deri në limitet e tij fizike edhe në raundin e pestë, për të marrë pikë të çmuara që do t’i japin edhe triumfin përfundimtar. Gjithçka vendoset me pikë, teksa Ervis Bici regjistron fitoren e tij të 22-të në karrierë si profesionist dhe rrëmben titullin europian. Ky sukses ka një shije të veçantë për Bicin, pasi ishte i parë për të në tokën shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"