MOVIOLA, JAVA 2/ Penallti e saktë në Kamzë, mungon i kuq në Fushë-Krujë. Uzuni e bën “baltë”

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 28, 2018 | 18:58

MOVIOLA, JAVA 2/ Penallti e saktë në Kamzë, mungon i kuq në Fushë-Krujë. Uzuni e bën “baltë”

Java e dytë e Kategorisë Superiore nuk ka pa sur shumë raste të diskutueshme për moviolë. Sa u përket atyre që janë vendimtare në një takim, nuk ka pasur thuajse asnjë. Evidentohet një penallti e saktë e dhënë në Kamzë, një pozicion milimetrik i saktë i Shtubinës në golin e barazimit për Laçin i pikasur nga asistenti i parë, si dhe disa momente specifike në Vlorë. Në start, “xhaketat e zeza” po i përgjigjen lartësisë së kampionatit dhe nuk po fitojnë spaletat e protagonistëve.

partizani kamza penalltia

GABIMET

Në Vlorë, tensioni i përballjes ka bërë që në momente të caktuara edhe gjyqtarët të mos japin akordimin e duhur. Bëhet fjalë për situata që i shkojnë menaxhimit të ndeshjes dhe në total mund të ketë një aritmetikë të barabartë kundrejt të dyja skuadrave. Në takimin e zhvilluar në Fushë-Krujë, vendosja e ndeshjes shpejt nga korçarët kanë zbehur edhe një moment kartoni të kuq për një nga futbollistët vendës, i cili e tepron me ndërhyrjen ndaj Muzakës, duke ngritur bërrylin në fytyrë. Në Laç, Luftëtari pretendon për një faull të paakorduar përpara se të shkaktohej faulli i kartonit të kuq nga Xhekson. Në Kamzë, penalltia e fituar nga Plaku është vlerësuar drejt nga arbitrat e takimit.

JAVA E 2-të/ Rastet për moviolë

KAMZA-PARTIZANI 0-1

Gjyqtarë: O Sokoli, D. Rexha, G. Qirici (Tiranë)

45′ Plaku fiton duelin e shpejtësisë me Ibrahimin në krahun e majtë dhe hyn në zonë ku ndodhet i vetëm me portierin Alban Hoxha, i cili ka avancuar për t’i zënë rrezen. Në momentin që gjuan, Plaku ndodhet mes portierit dhe Ibrahimit, i cili nga pas me ndërhyrjen e tij e pengon sulmuesin që rrëzohet në fushë. Topi përfundon jashtë, por gjyqtari Sokoli akordon penallti. Vendim i drejtë i gjyqtarit.

LAÇI-LUFTËTARI 2-1

Gjyqtarë: O.Kuka, R.Avdo, A.Koçiaj (Tiranë) Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Laçi”, Myrto Uzuni ka kërkuar dy herë penallti. Në rastin e parë nuk ka pasur fare kontakt dhe është rrëzuar brenda zonës, por kryesori Kuka i ka kërkuar të vijojë ndeshjen. Ndërkohë, në rastin e dytë, sulmuesi i kurbinasve simulon sërish, ndërkohë që ka thjesht një prekje të Xhekson.

Dy raste në të cilat kryesori Orlando Kuka e fal pa karton. Miqtë e Luftëtarit kanë protestuar aksionin e kartonit të kuq të Xhekson. Sipas tyre, ka një faull të kurbinasve të paakorduar përpara se Xhekson të bëjë ndërhyrjen e rëndë. Në këtë takim ka edhe vendime të drejta, si ai i asistentit në momentin e golit të Shtubinës i nisur në limite të pozicionit të rregullt.

KASTRIOTI-SKËNDERBEU 0-3

Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier)

Takimi i zhvilluar në stadiumin e FushëKrujës, “Redi Maloku”, u vendos shpejt nga korçarët dhe për pasojë edhe nervozizmi kalimtar në fushë nga disa futbollistë, nuk ndikoi. Për t’u evidentuar ka qenë një moment në minutën e 57-të të takimit. Në një aksion të korçarëve, Huseini godet me bërryl Gjergji Muzakën, por asnjë prej gjyqtarëve nuk e evidenton, edhe pse ndërhyrja ishte në limitet e kartonit të kuq për vetë bërrylin e ngritur.

FLAMURTARI-KUKËSI 1-0

Gjyqtarë: L.Alla (kryesor), D.Korreshi, M.Qose (anësorë), A.Koçi, K.Shahini (pas portave)

– Në të 8-ën minutë, Rexhinaldo rrezikon me një gjuajtje me kokë, por pamjet tregojnë se ishte pozicion jashtë loje.

-Laver Alla vepron drejt në të 15-ën, kur ndëshkon me të verdhë Torasën, pasi ndërhyri kundër Rrumbullakut.

– Rexhinaldo ul topin me dorë në të 23-ën dhe kryesori Alla akordon faull me të drejtë, edhe pse sulmuesi e mohon me forcë.

– Batha në pozicion në dukje të rregullt në të 25-ën, jep një top të artë për gol, por anësori Korreshi ngre flamurin. Moment që duhet riparë.

– Në të 25-ën, Musolli ndërhyn ashpër ndaj Torasës, duket në limitet e të verdhit.

– Në të 89-ën, kryesori Shameti prek topin me dorë, pastaj shtrin Bushiçin me dhunë në tokë, por gjyqtari nuk reagon. Vetëm në faullin e tretë radhazi ndaj Bathës kujtohet dhe sinjalizon goditje dënimi.

TIRANA-TEUTA 0-0

Gjyqtarë: K.Meta, D.Agaraj (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

Ndeshja mes Tiranës dhe Teutës ka qenë e qetë për sa u përket rasteve për moviolë. Në minutën e 22-të Blazhevski kapet në pozicion jashtë loje nga gjyqtari Denis Agaraj. Pamjet filmime, edhe pse jo shumë të qarta, e lënë të dyshimtë pozicionin jashtë loje të maqedonasit. Gjyqtari Kridens Meta nuk gaboi në asnjë rast, edhe pse bardheblutë u ankuan për pak anësi ndaj durrsakëve.





www.minuta90.com