MOVIOLA Egnatia-Teuta/ Një 11-metërsh nderon durrsakët, rrogozhinasit kapen me gjykimin (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2021 | 16:43

MOVIOLA Egnatia-Teuta/ Një 11-metërsh nderon durrsakët, rrogozhinasit kapen me gjykimin (VIDEO)

Teuta e trajnerit Edi Martini gjeti rrugën e kthesës ndaj Egnatias me një penallti të shënuar nga kapiteni Kallaku në minutën e 80-të. Rrogozhinasit janë të pafat, ku me atë që dhanë në fushë të paktën e meritonin një pikë, por gjithçka u mbyll në shifrat 0-1, ku nuk munguan as pakënaqësitë e vendësve ndaj gjykimit me në krye Erjon Bastarin.

penalltia

Pas kësaj fitoreje, Teuta shkon në kuotën e 11 pikëve e ngjitet në vendin e dytë, ndërsa Egnatia mbetet po me tetë pikë. Ndeshja- Egnatia e nisi takimin me tri mungesa, Teqja, Agbekpornu dhe A.Magani. Ndërsa Trajneri Edi Martini e kishte të plotë grupin.

Loja nis me vendësit në sulm, ku që në minutën e pestë Pedro futet në zonë për të goditur, por ndalet nga Ivanoviç. Egnatia duket aktive, ndërsa durrsakët mbrohen mirë. Në minutën e 11-të Pedro gjuan me kokë, por topi del jashtë. 6 minuta më vonë Teuta kundërpërgjigjet me Koubemban, por sulmuesi gabon në shënjestër. Ritmi sa vjen e shtohet me vendësit që me dyshen Pedro-Imeri shfaqen shpesh në zonën e miqve. Në minutën e 21-të Kallku tenton të befasojë me një gjuajtje nga distanca, por topi s’ka trajektoren e duhur.

Në minutën e 39-të Plaku që merr një pasim dhe kërkon penallti pas një pengimi brenda zonës, por ndërhyrja e Allmuçës është e saktë dhe gjyqtari vijon lojën. Në fund të pjesës së parë Pedro godet fort drejt portës durrsake, por Qirko grushton me vështirësi. Pjesa e dytë nis po me të njëjtit lojtarë, por Egnatia nuk heq dorë nga sulmi edhe në fillim të këtij fraksioni. Minuta 54, Plaku ka mundësi të shënojë, por portieri Puja tregon aftësitë më të mira në dy momente. Loja bëhet e bukur dhe me shumë raste deri në minutën e 62-të kur Imeri lë fushën e Xhekson zë vendin e tij në sulm.

Kundërpërgjigjet trajneri Martini që largon Emiljano Vilën dhe Todorovskin dhe në fushë hyjnë Lorenco Vila dhe Akuah. Me kalimin e minutave dhe duke parë që rezultati ishte i bardhë, të dy kampet vijojnë me zëvendësimet e radhës për të ndryshuar rezultatin, ku fatsjellëse zëvendësimet rezultuan te Teuta.

Në minutën e 78-të Krivanjeva në kundërkohë kërkon të ndalë Grudën që rrëzohet brenda zonës. Gjyqtari akordon penallti për Teutën dhe do të ekzekutohet nga Kallaku. Kapiteni durrsak tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe 1-0 për Teutën. Goli i pësuar dhe vendimi i arbitrave sjell pakënaqësi te tifozët e pranishëm, që mbetën të habitur edhe nga konfirmimi i penalltisë nga sistemi VAR.

Pas golit, durrsakët mbajnë larg zonës së tyre Egnatian që me Pedron, Xheksonin dhe Shtubinën mendojnë të shënojnë golin e barazimit. Në minutën e dytë shtesë Shtubina shënon i gjendur brenda zonës, po anësori kishte ngritur flamurin për një faull dhe goli anulohet. Gjithçka mbyllet në shifrat 0-1

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"