Moviola e Erzeni-Laçi/ Gol i anuluar me VAR, u pretenduan katër penallti (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2022 | 14:27

Moviola e Erzeni-Laçi/ Gol i anuluar me VAR, u pretenduan katër penallti (VIDEO)

Ndeshja Erzeni-Laçi, e luajtur të shtunën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, u gjykua nga Kridens Meta.

VR

Loja pati disa raste për moviolë dhe gjithashtu një gol të anuluar të Laçit nga sistemi VAR, aty ku ishin Olsi Ferataj dhe Ilir Tartaraj.

Teknologjia shpëtoi disa herë gjyqtarët në fushë, veçanërisht anësorin nga Fushë-Kruja, Erind Burgu, për të cilin goli i skuadrës kurbinase u konsiderua i rregull.

12’ Pas një topi të kthyer të Sadikit te portieri Xhika, është Adeleke me shpejtësi që ndërhyn për të rrëmbyer “sferën”. Në momentin e fundit sulmuesi i Laçit përplaset me Xhikën dhe kërkon penallti. Arbitri Meta vijon lojën, duke mos e konsideruar 11-metërsh. Pamjet filmike tregojnë se Xhika ka tërhequr këmbën, duke evituar penalltinë.

16’ Ademi shpërthen në krahun e djathtë dhe pasi futet në zonë, merr një të shtyrë nga Turkaj dhe rrëzohet. Sulmuesi i Erzenit kërkon 11- metërsh, por Meta vijon lojën dhe as VAR-i nuk ndërhyn më pas, duke e konsideruar ndërhyrjen e mbrojtësit të Laçit si normale.

17’ Pas një harkimi në zonë, është Peterman që shërben te Spahiu, i cili godet dhe shënon për Laçin. Për gjyqtarët në fushë është gol i rregullt, por pas konfirmimit në sistemin VAR, rezulton se Spahiu ka qenë në pozicion jashtë loje në momentin që ka marrë pasimin nga lojtari ukrainas. Kësisoj, goli anulohet për pozicion të parregullt.

33’ Ademi jep një asist në zonë për Alan, që pasi fiton duelin e shpejtësisë me mbrojtësin, driblon edhe portierin Dajsinani e më pas rrëzohet duke kërkuar penallti. Arbitri Meta nuk është i këtij mendimi, duke e konsideruar simulim dhe ndëshkuar me karton të verdhë brazilianin e Erzenit. Sistemi VAR i jep të drejtë kryesorit më pas.

90+5’ Maloku shërben te Nonato, që fiton duelin me Velkoskin dhe sapo prek topin përpara portierit Dajsinani, rrëzohet pas kontaktit me këtë të fundit. Arbitri Meta jep direkt penallti për Erzenin, ndërsa edhe VAR e konfirmon, teksa pamjet filmike i japin të drejtë kryesorit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"