MOSHAT U17/ Ndalet Tirana, Shkëndija super, ja rezultatet e plota

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2020 | 22:40

MOSHAT U17/ Ndalet Tirana, Shkëndija super, ja rezultatet e plota

Kategoria Superiore për moshat U-17, luajti këtë fundjavë ndeshjet e javës së 16-të, “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

shkodranet

Shkodranët, “bllokadë” ekipit bardheblu

vllaznia tirana

Tirana kryesuese e Grupit A dhe njëkohësisht fituese e Kupës së Shqipërisë për U17 nuk ka shkuar më shumë se barazimi 0-0 në transfertën e Shkodrës. Vllaznia ia ka dalë të marrë një pikë, por që për nga mënyra e lojës mund të dilte edhe me fitore. Përballja ka qenë vërtet shumë interesante dhe e luftuar. Futbollistët e të dyja ekipeve janë munduar të shënojnë në portat respektive, por kanë qenë të pafat. Vllaznia ka qenë më agresive, duke e kërkuar me ngulm golin me anë të sulmuesit të saj kryesor, Perloshi. Gjithashtu kanë krijuar raste të pastra edhe Spahia, Delaj e Papaj, por nuk ia ka dale të shënojnë. Në pjesën e dytë presioni u rrit edhe më tepër, sepse shkodranët kërkuan me çdo kusht fitoren për t’u ngjitur edhe më shumë në renditje. Me këtë pikë të marrë ndaj kryesuesve, Vllaznia mbetet në vendin e tretë me 30 pikë, ndërsa përpara ka Shënkollin me vetëm dy pikë më tepër. Ndërsa Tirana është e shkëputur me plot 9 pikë më shumë.
Admir Uruçi

Thyhet Partizani

internacional

Internacionali ka mposhtur minimalisht Partizanin falë një loje bindëse. Fati i ndeshjes u vendos vetëm nga një gol, pikërisht në minutën e 64-t, kur Rushiti edhe pse nuk gjuan me forcën e duhur, topi shkon në rrjetë pas devijimit nga portieri Marku. Të kuqtë bënë presion, por Dezhgiu dhe Buxhelaj nuk i shfrytëzuan rastet. Abdulla Dushku

Bind Football Republic

football republic

Football Republic ka shkëlqyer në takimin ndaj Besës, duke marrë një fitore të merituar, por që mund të ishte edhe më e thellë prej rasteve të shumta. Goli i parë vjen nga një 11-metërsh, ku Xhaferr Hodo nuk fal. Vetëm në fraksionin e dytë, skuadra e akademisë së Redi Jupit ka arritur të shënojë edhe dy gola të tjerë me Rogers Ahmesulën. Abdulla Dushku

Akademia i falet Gjonit

akademia

Në ndeshjen e parafundit në fushën e tij, Pogradeci kishte shpresa të mëdha për rezultat pozitiv, por Akademia pothuajse ua shoi ëndrrën për mbijetesë në Superiore. Vendësit luajtën mirë, sidomos në pjesën e parë, por nuk shënuan. Ndërsa në 45 minutat e dyta, ishte Gjoni që realizoi golin e vetëm për Akademinë, duke i dhënë fitoren 0-1. Redi Dandallaku

Durrësi përmbys Lushnjën
durresi

Durrësi 04 ka mundur 3-1 Lushnjën në stadiumin “Roza Haxhiu”. Pas shifrave të bardha në pjesën e parë, Dedej kalon Lushnjën në avantazh, duke shndërruar në gol mjeshtërisht një goditje dënimi. Pas tri minutash, gjyqtari akordon penallti për Durrësin, që shndërrohet në gol, nga Bespalla. Më pas Velaj vulosi gjithçka me një dopietë. Alban Alushi

Muço Boçi bën heroin

brians

Një tregolësh i sulmuesit Muço Boçi ka nderuar Shkëndijën e Durrësit ndaj Briansit. Në fakt, lezhjanët shënuan të parët me anë të Sufjas dhe u mendua se do të ishte një ndeshje e ekuilibruar. Mirëpo, kapiteni i Shkëndijës barazoi shumë shpejt me anë të një 11-metërshi, ndërsa më pas shënoi edhe dy gola të tjerë në minutat 38 dhe 85. Zamir Qypi

Tripletë e Elbasanit

elbasani
Elbasani nuk ka hasur vështirësi përballë Orikut, duke e zgjidhur ndeshjen shumë shpejt. Sfida u mbyll në shifrat 3-0, me Kaçin që shënon një dopietë për vendësit, ndërsa Liçe hipotekon fitoren pas penalltisë të shndërruar në gol. Pjesën e dytë Elbasani administroi lojën dhe avantazhin, duke siguruar në fund edhe tri pikët. Vladimir Mema

Shkëndija e Tiranës gjunjëzon Flamurtarin

shkendija

xhavo

Kryendeshja e javës së 16-të në Grupin B të Kategorisë Superiore mes Flamurtarit dhe Shkëndijës së Tiranës, i ka buzëqeshur skuadrës së Luan Pinarit. Miqtë kanë bërë diferencën me një gol afër fundit, duke thelluar distancën me vlonjatët në krye të renditjes. Ishte një ndeshje mjaft e bukur, me shumë raste, por me vetëm një gol. Pjesa e parë nuk prodhoi asnjë gol, megjithëse tentativat e vlonjatëve ishin të shumta. Me fillimin e pjesës së dytë miqtë krijuan volum loje, por kuqezinjtë u mbrojtën mjaft mirë, duke rrezikuar sërish portën e Kokujas. Kur u duk se gjithçka po shkonte në barazim pa gola, Shkëndija kaloi në avantazh me Gogën në minutën e 79-të. Ky gol i dha tri pikët Shkëndijës, e njëkohësisht duke u shkëputur 5 pikë nga vendi i dytë, që mbahet nga Flamurtari. Vlonjatët kanë udhëhequr për një kohë të gjatë Grupin B, por tani është Shkëndija që po dominon. Gjithsesi, të dyja skuadrat do të luftojnë në zonën “play off”. Enriko Gabaj

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"