Moshat U-19/ Partizani mposht Tiranën në derbi, në Fier ka panik për portierin. Ja rezultatet dhe skedat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2021 | 21:58

Moshat U-19/ Partizani mposht Tiranën në derbi, në Fier ka panik për portierin. Ja rezultatet dhe skedat

Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti ndeshjet e javës së 14-të këtë fundjavë. “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

IMG_0276-1536x1024

Partizani likuidon bardheblutë

11

Derbi i të rinjve vishet i kuq. Partizani U-19, i drejtuar nga Reinaldo Kalari, është hakmarrë ndaj Tiranës edhe për humbjen që të kuqtë U-17 pësuan përpara se të luhej ndeshja e të rinjve. Ka qenë një 90-minutësh me të dyja skuadrat në kërkim të fitores, por në fund diferencën e bënë të rinjtë e kuq, teksa kapiteni Çarçani dhe Abdullaji shënuan nga një gol secili, duke zhvlerësuar barazimin e përkohshëm të bardhebluve me autor Domenik Kozin në pjesën e parë.

NDESHJA

Abdullaj vulos fitoren e Partizanit në derbi, por merr karton të kuq në minutën e 87-të. Ndeshja nisi me një gjuajtje të fortë të Spahiut, por portieri Leon Kozi reagoi shkëlqyeshëm. Ky ishte një sinjal i parë i të kuqve, që duken më kërkues. Goli nuk vonon, teksa kapiteni Klei Çarçani tund rrjetën në minutën e 25-të. Mirëpo, pa u mbyllur ende pjesa e parë, pas një goditjeje nga këndi të krosuar nga Stafa, ishte D.Kozi që barazoi shifrat dhe i çoi skuadrat në pushim me shifrat 1-1. Derbi kishte ngjallur mjaft interes, pasi tifozë të shumtë kishin rrethuar fushën jashtë rrethimit dhe taracat e ndërtesave përreth kompleksit “Olimpik” në Yrshek. Fraksioni i dytë sërish bëhet i të kuqve, sepse Abdullaj arrin të shënojë golin e dytë. Por, tri minuta para fundit ai ndëshkohet me karton të kuq. Tirana bën të gjitha përpjekjet për të barazuar, por nuk ia arrin dot edhe për meritë të Partizanit, që e menaxhon më së miri lojën dhe meriton fitoren 2-1. Pas 14 javësh kampionat, Partizani pozicionohet në vendin e katërt me 24 pikë, ndërsa Tirana e trajnerit Gentjan Stojku e gjashta me 22 pikë. Të kuqtë janë plot 10 pikë larg kreut, që mbahet nga Vllaznia. ABDULLA DUSHKU

Vllaznia, pa mëshirë me Dinamon

12

Vllaznia është treguar e pamëshirshme ndaj Dinamos, duke fituar me shifrat 5-1. Që në minutën e parë ishte Filipi që shënoi për shkodranët. Pusi ia doli të realizonte golin e dytë pak minuta më pas dhe pjesa e parë u mbyll 2-0. Të besuarit e Luan Zmijanit treguan formë të shkëlqyer edhe në pjesën e dytë, kur shënuan tri herë të tjera. Alivoda e çoi rezultatin në 3-0, ndërsa Arsen Elbasani shënoi nga penalltia për 4-0. Musaraj realizoi golin e pestë, e më pas Sulka me penallti shënoi për Dinamon. ADMIR URUÇI

Peja, gol për 3 pikë dhe kryesim

13

Teuta fiton në Durrës ndaj Football Republic, duke rimarrë kreun e Grupit B për të rinjtë. Skuadra e drejtuar nga Xhevahir Kapllani ka qenë cinike, duke shënuar në minutën e 41-të dhe administruar mirë takimin. Goli i avantazhit u realizua nga mbrojtësi Albin Peja nga pika e bardhë e penalltisë. Durrsakët luajtën për rreth 15 minuta më një lojtar më pak, pasi Elezi u ndëshkua me të kuq. Një nga më të mirët në fushë ishte mesfushori R.Tepshi, i kudondodhur në fushë. Miqtë u munduan të reagonin, por nuk ia dolën. ZAMIR QYPI

Në Fier ka panik për portierin

14

Apolonia, kampione në fuqi e U-19, ka mposhtur pastër Akademinë e Futbollit, por më shumë se fitorja, vëmendje mori një incident i pakëndshëm. Ndeshja u ndërpre për rreth 10 minuta në pjesën e parë, pasi portieri i Akademisë, Brajan Marku, është dëmtuar rëndë pas një përplasjeje në kokë me një nga shokët e skuadrës së tij. Marku ka marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Fierit dhe pastaj është nisur në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Gjendja e të riut u stabilizua në orët në vijim. BUJAR RAMA

Elbasani shkëlqen ndaj Pogradecit

15

Elbasani ia del të fitojë në Pogradec me shifrat 4-2. Të rinjtë vendës ishin me shumë mungesa dhe bënë një paraqitje të dobët. Për miqtë heronj u bënë Kasa dhe Gjolena me nga dy gola secili. Ishte Kasa në minutat 24 dhe 45 që shënoi një dopietë. Në të 60-ën Gjolena realizoi të tretin për Elbasanin. Pogradeci reagoi dhe gjeti golin në të 77-ën me Begën. Më pas në të 88-ën pas një goditje këndi, Bezati devijon topin dhe shkakton autogol. Por, Elbasani nuk e humb përqendrimin dhe është Gjolena që vulos fitoren bindëse. REDI DANDALLAKU

16

RENDITJET:

U19 19

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"