MOSHAT U-17/ Partizani nuk kap dot zonën “play off”, Dinamo rrezikon rënien. Ja të gjitha rezultatet dhe verdiktet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2020 | 19:10

MOSHAT U-17/ Partizani nuk kap dot zonën “play off”, Dinamo rrezikon rënien. Ja të gjitha rezultatet dhe verdiktet

Kategoria Superiore për moshat U-17, luajti në fundjavë ndeshjet e javës së 17-të, “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara në të dyja grupet A dhe B: 

moshat skednerbeu

Zhgënjejnë të kuqtë, blutë për mbijetesë

partizani dinamo

Partizani mbetet jashtë zonës “play off” të Kategorisë Superiore për U-17, duke mos pasur asnjë shans për të qenë në katërshen e parë të Grupit A, në mënyrë që të luftonte deri në fund për titull. Humbja në mesjavë ndaj Shkodrës i kishte demoralizuar paratërinjtë e kuq, të cilët edhe në ndeshjen e djeshme kundër Dinamos, pësuan disfatën e radhës.

Blutë ia dolën të triumfonin 2-1, por edhe për ta ky trepikësh nuk mjafton, pasi janë të detyruar të luajnë një ndeshje shtesë për qëndrimin në kategori. Aktualisht, pas 17 javësh kampionat, Dinamo është në vendin e fundit të Grupit A dhe në bazë të rregullores, dy skuadrat që mbyllin tabelën në çdo grup, do të luajnë mes tyre një finale për qëndrimin. Sa i përket ndeshjes ndaj Partizanit, blutë fituan me përmbysje.

Në fillimin e pjesës së dytë ishte Dezhgiu që shënoi për Partizanin. Më pas dinamovitët kanë përmbysur gjithçka me dy gola të realizuar nga Aliu dhe Kurti për pesë minuta. / Abdulla Dushku /

 

Tirana bie në Shënkoll

Shenkolli

Një gol i Lleshit i ka dhënë fitoren Shënkollit ndaj Tiranës, duke rihapur garën për vendin e parë në Grupin A. Edhe pse dy skuadrat e kishin siguruar pjesëmarrjen në “play off”, sërish u zhvillua një lojë e fortë. Portieri Simoni nuk lejoi të prekej rrjeta, ndërsa në minutën e 40-të, është Lleshi që me goditjen e tij mposhti Kozin. /Preng Gjikola/

 

Teuta, fitorja s’mjafton

teuta

Teuta U-17 fiton 2-1 ndaj Akademisë së Futbollit, por kjo nuk mjafton që durrsakët të shpresojnë për një vend në zonën “play out”, pasi skuadra e vendit të katërt, Skënderbeu, ka një ndeshje më pak me Football Republic, që pozicionohet e treta. Tepshi me penallti dhe Taçi pa u mbyllur pjesa e parë shënuan për durrsakët e Teutës. /Zamir Qypi/

 

Përmbysje e Vllaznisë

shkendija

Përmbysje e çmendur e Vllaznisë në ndeshjen kundër Shkëndijës së Durrësit. Dy golat e shpejtë të Kurtit dhe Bocit krijuan idenë se vendësit do të fitonin, por shkodranët bënë një reagim fantastik. Perloshi ishte heroi i kuqebluve, duke shënuar plot katër gola, ndërsa Papaj dhe Mujaxhi plotësuan fitoren 2-4 të Vllaznisë në Durrës. /Zamir Qypi/

 

Shkodra, në “play off”

shkodra

Fitore historike për Shkodrën ndaj Internacionalit, pasi vulosi pjesëmarrjen e skuadrës së Rudi Piraniqit në zonën “play off”. Shpuza dy herë dhe Musaraj e Oborri nga një herë, ishin protagonistë të golave në triumfin 4-1. Tashmë ekipi privat shkodran do të kërkojë të bëjë mrekullinë në “play off”, duke tentuar titullin kampion. /Admir Uruçi/

 

Shkëndija e Tiranës shkatërron Luftëtarin

Shkendija e Tiranes

Shkëndija e Tiranës është kampionia e Grupit B një javë para fundit të kampionatit. Me 42 pikë dhe pesë më tepër se ndjekësi, që është Flamurtari, skuadra e drejtuar nga Luan Pinari feston trofeun simbolik të grupit, por tashmë e pret lufta në “play off”, aty ku do të diskutojë titullin e U-17.

Në ndeshjen ndaj Luftëtarit, lojtarët e Shkëndijës u shfaqën në superformë, duke fituar me shifrat 5-0. Madje, rezultati mund të ishte edhe më i thellë, por portieri Vllaho i shpëtoi disa herë gjirokastritët nga gola të sigurt. Kanë qenë rreth 25 pritje, por që nuk mjaftuan për 90 minuta, pasi sulmuesit e Shkëndijës u treguan të saktë në pesë raste.

Dopieta e Rabion Gogës ia ka thjeshtësuar gjërat Shkëndijës në pjesën e parë, ndërsa në 45 minutat e dyta shënuan Gjevori, Dragaj dhe Sahiti. Portieri i Shkëndijës nuk u vendos fare në vështirësi, pasi miqtë ishin të pafuqishëm në sulm. Luftëtari do të luajë tashmë në “play out” për të shpresuar qëndrimin. /Abdulla Dushku/

 

Besa shpëton nga rënia

Besa Pepa

Besa ka shkatërruar Pepën me shifrat 5-1 dhe ka siguruar një tjetër sezon në elitën e U-17, duke shmangur në këtë mënyrë përfshirjen në zonën “play out”. Ka qenë një lojë e bukur dhe rezultat i pastër për kavajasit. Forma e mirë e Muzhaqit që shënoi tre gola, si dhe kapitenit Jargavani që bëri dopietë, nderuan kavajasit ndaj Pepës. /Feriz FERIZAJ/

 

Flamurtari ka shkatërruar 4-1

Pogradecin në ndeshjen e fundit në Vlorë për këtë kampionat. Të besuarit e trajnerit Dritan Resuli janë treguar të pamëshirshëm ndaj Pogradecit të vendit të fundit në Grupin B. Që në minutën e 13-të shënoi Sindrit Fejzo, ndërsa pa u mbyllur ende pjesa e parë, vlonjatët dyfishuan shifrat me anë të Dhimitër Goxhajt.

Në fillimin e pjesës së dytë pogradecarët ishin më kërkues dhe arritën të shpërbleheshin me golin e Durim Peres në minutën e 53- të. U mendua se ky gol do të rihapte takimin, por nuk ndodhi kështu. Flamurtari arriti të shënojë edhe dy herë të tjera, fillimisht me anë të Albi Metanit, ndërsa tri minuta para fundit me anë të Petrol Bajazitit. Vlonjatët kanë siguruar pjesëmarrjen në “play off”, ku kërkojnë titullin për U17, ndërsa Pogradeci do të jetë në “play out” për të diskutuar qëndrimin. /E.Gabaj/

 

Verdiktet, zbardhen ekipet e kualifikuara

Tirana, Shënkolli, Shkodra dhe Vllaznia në Grupin A për U-17 kanë siguruar fazën “play off” një javë para fundit të kampionatit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shkëndijën e Tiranës dhe Flamurtarin që pozicionohen në Grupin B. Tashmë, kur do të luhet edhe një javë kampionat, mbeten për t’u zbardhur dy dilema në këtë grup, pikërisht se kush do të jenë mes Football Republic, Akademisë së Futbollit dhe Skënderbeut në “play off”.

Sa i përket luftës për mbijetesë, Dinamo dhe Shkëndija e Durrësit në Grupin A janë tashmë pjesë e “play out”, por gjithashtu edhe Luftëtari e Pogradeci në Grupin B. Finalet mes këtyre skuadrave do të përcaktohen pas javës së fundit. Nëse renditja nuk ndryshon, atëherë Luftëtari luan ndaj Shkëndijës dhe Dinamoja kundër Pogradecit. Nga katër ekipe në “play out”, dy prej tyre do t’i thonë lamtumirë Kategorisë Superiore. /A.Dushku/

 

renditja b renditja a

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"