“Momenti i duhur që Reja dhe FSHF t’i japin dorën njëri-tjetrit”, Luan Pinari parashikon derbin: Tirana është kthyer në Partizanin e viteve të kaluara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 19:57

“Momenti i duhur që Reja dhe FSHF t’i japin dorën njëri-tjetrit”, Luan Pinari parashikon derbin: Tirana është kthyer në Partizanin e viteve të kaluara

Nga Kombëtarja te derbi. Luan Pinari bën analizën e kësaj jave futbollistike në vendin tonë në emisionin “Sport News” në “News 24”. Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Pinari ka treguar se si ka parë Kombëtaren dhe shkaqet e dështimit të saj, ndërsa si një ish, nuk mund të mos komentonte edhe ndeshjen më të rëndësishme të kësaj jave në Superiore.

pinari

“Nga ky zhgënjim i madh që kemi pësuar si komunitet sportiv, apo edhe si popull, mund të themi se është e vështirë të gjejmë gjëra pozitive. Elemente të mira mund t’i gjejmë te lojtarët, cilësitë e tyre apo te skuadrat ku ata luajnë. Por ende nuk kemi mundur të gjejmë mënyrën e duhur për t’i marrë atyre më të mirën në Kombëtare apo për t’i gërshetuar njëri me tjetrin. Ndoshta kjo është ajo që na çoi të merrnim këto rezultate me skuadra të nivelit tonë, por të përgatitur më mirë se ne për këto ndeshje të Ligës së Kombëve. Gjithsesi e shikoj pozitive, sepse lojtarët dhe cilësia aty është, thjesht duhet të gjendet mënyra e duhur për t’i bërë ata të japin më të mirën edhe në Kombëtare.

Kontestimi i tifozëve? Kishte shumë ndeshje, ku kishte pakënaqësi për rezultatet e Kombëtares, por edhe për sjelljen e lojtarëve në fushë. Në prisnim shumë herë më tepër nga lojtarët që luajnë në ekipe të mira, por kjo gjë nuk ndodhi dhe kontestimi i tifozëve është i drejtë në njëfarë mënyrë, sepse ata janë lojtarë të ekipit kombëtar, për ta kemi shkuar në stadium në të gjithë Europën. Edhe lojtarët nuk është se duan të marrin ato rezultate. Është një Kombëtare, jo një klub, prandaj mendoj se ka qenë deri diku i tepruar ai reagim i tifozëve.

Vazhdimi i Rejas? Është momenti i duhur që të dyja palët t’i japin dorën njëri-tjetrit. Ka ardhur fundi i kontratës dhe Reja është aq profesionist dhe duke parë rezultatet dhe mënyrën si kanë shkuar gjërat, ta mbyllë. Ndoshta kemi nevojë për një trajner më grintoz, pasi duke parë si ka shkuar Kombëtarja jonë, mendoj se duhet pak më shumë energji për të drejtuar këtë skuadër. Nuk ka të bëjë mosha, por tipi i trajnerit, që duhet të përcjellë energji dhe të mos kemi këto tulatje, që pësojmë gola në fund. Mendoj se do të merret koha e duhur për të zgjedhur një trajner, që i përshtatet kësaj skuadre që ne kemi në dispozicion.

Derbi? Tiranën dhe Partizanin i shoh shumë të qeta përpara këtij derbi. Tirana më kujton Partizanin e atyre viteve, që i bënte bardheblutë të kishin qëndronin 5 vite pa fituar ndaj të kuqve. Mendoj se Tirana ka mësuar diçka nga ai Partizan sesi përgatitet një derbi, qetësinë që duhet të ketë ekipi përpara ndeshjes, të largojë presionin. Tirana ia ka dalë në këto dy vitet e fundit. Por këtë vit shoh një Partizan më ndryshe, të kompletuar, që do të kërkojë të marrë rezultat, duke shfrytëzuar edhe vendin që ka në renditje, për të luajtur jo vetëm për dy rezultate, por për ta kaluar presionin më tepër te Tirana e për të përfituar. Nëse e bën këtë, Partizani ia del me sukses në derbi.

bandicam 2022-09-29 17-41-43-235

Tirana ka ndryshuar dhe ka humbur diçka në skuadër, këtë e tregojnë rezultatet e fazës së parë. Gjithsesi, tashmë ata kanë ndryshuar modulin e lojës në varësi të lojtarëve që janë afruar. Humbet diçka, por me kalimin e kohës do të shihet sa të aftë do të jenë t’i përshtasin këta lojtarë dhe t’u marrin më të mirën. Shohim që kanë arritur të zhvillojnë një lojë të mirë dhe të marrin rezultate. Derbi do të tregojë sa ia kanë arritur. Gjithsesi po bëhet një punë e mirë për mënyrën sesi po luan Tirana.

Nga ky Partizan pres të jetë i maturuar si në këtë fillim kampionati, pres një skuadër që të jetë me këmbë në tokë dhe të mos zhvillojë ndeshje si ajo me Erzenin, sepse i ka të gjitha mundësitë për t’i shkuar deri në fund dhe për të marrë titullin kampion. Nuk i kanë shfaqur qartë këto objektiva, por shoh një Partizan që ka cilësi, me grup shumë të mirë, grup i mbledhur. Jo me emrat e lojtarëve që janë afruar te Tirana, por me mjaft cilësi. Renditja e tregon se Partizani tashmë nuk duhet të fshihet, është për titullin kampion.

Mungesë eksperience në derbi nga lojtarët? Unë e shoh në aspekt tjetër. Mund të jetë një minus, sepse duhet të kesh eksperiencën e derbit, por është edhe pozitive, sepse është her e parë dhe lojtarët duan apo s’duan do të japin maksimumin. Luhet në një stadium, ku ke dëshirë të luash, pavarësisht se Partizani tashmë ka stadiumin e vet. Të kuqtë tashmë mund të fokusohen vetëm në aspektin sportiv, sepse tashmë stadiumin dhe ambientet i ka dhe mendoj se këta lojtarët e rinj do të mësohen me klimën dhe frymën që ka te Partizani. Edhe pse është hera e parë e tyre në derbi, mendoj se do të jetë në favor të Partizanit për këta lojtarë, që ta kenë në memorien e tyre që derbin e parë e kanë fituar.

Mund të jetë përcaktues, sidomos për Partizanin. Nëse ata fitojnë, mendoj se do t’i japë një sinjal kampionatit, por edhe rivalit të vet historik se këtë vit janë gati të fitojnë titullin kampion. Pavarësisht se jemi herë do të kenë edhe shansin e shkëputjes me pikë. Pastaj te Tirana një humbje në derbi do të ishte e vështirë, sepse do të kishin shkëputje me pikët. Në rast se ndodh e kundërta, mendoj se Partizani nuk do ta vuajë sa Tirana. Gjithsesi, padyshim pasojat e humbjes në derbi do të ndihen dhe kësaj i ruhen. Të dyja skuadrat nuk do të duan të kenë këto pasoja në këtë start të kampionatit. Gjithsesi, mendoj se ky derbi nuk del barazim, sepse ka shumë cilësi te lojtarët e të dyja skuadrave, që mund ta zgjidhin ndeshjen në çdo moment”, tha Pinari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"