Mllefi vazhdon edhe pas 14 vitesh, Materaci: Nëse takoj Zidanin sot qoftë në një miqësore, rrezikohen pellgje gjaku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2020 | 0:14

Mllefi vazhdon edhe pas 14 vitesh, Materaci: Nëse takoj Zidanin sot qoftë në një miqësore, rrezikohen pellgje gjaku

Ndërsa futbolli ka frenuar thuajse në të gjatë botën, tifozët ngushëllohen dhe mjaftohen me kujtimet e bukura të tij dhe për ata italianë një ndër më të ëmblat është fitorja e Botërorit në Gjermani, në verën e vitit 2006.1467994779_310595_1467994920_noticia_normal

Një mes tyre që vendos të rikthejë edhe një herë në aktualitet udhëtimin fenomenal të Kombëtares së Marçelo Lipit dhe finalen kundër Francës është ish-mbrojtësi i Interit, Marko Materaci, protagonist i shkaktimit të një penalltie, më pas barazoi golin e Zidanit, por mbi të gjitha tregon edhe goditjen me kokë që mori në gjoks, e cila përjashtoi “Zizunë” nga fusha: “Ja si shkoi ai episod… Unë i thashë: ‘Nuk e dua fanellën tëndë preferoj…’ dhe i them një fjalë, një ofendim që nuk mund ta përmend.

Realisht nuk mendoja kurrë se Zidan mund të arrinte deri në atë pikë. Fati i madh për mua ishte se nuk e prisja që ai të më kthehej me atë gjest, sepse në të kundërt, duke e njohur natyrën time gjithashtu paksa agresive, do t’i isha kundërpërgjigjur dhe do të isha përjashtuar edhe unë”, nënvizon Materaci.

Pellgje gjaku

Dhe nga ai episod e deri në ditën e sotme, Materaci dhe Zidan nuk e kanë takuar më njëri-tjetrin, madje siç nënvizon ish-mbrojtësi kampion bote do të jetë më mirë për të dy që kjo të shmanget, pasi rrezikohen pellgje gjaku: “A jam takuar më me Zinedinin? Jo, jo, nga ajo periudhë jo më… Tani që mendohem, më duket se kemi qenë pak minuta në një eveniment të përbashkët gabimisht, por gjithsesi nuk patëm probleme dhe mendoj se nuk do të ketë më. Madje, personalisht dua t’i bëj komplimentet e mia të sinqerta për atë që ka bërë tashmë edhe si trajner. A do e takoja në rast të një Itali-Francë mes legjendave në një miqësore? Siç e thashë, më mirë ta shmangim.foto_304898_908x560

Edhe sikur kjo miqësore mes veteranëve të ndodhë, unë do pranoja të isha kundër Zidanit vetëm në rolin e trajnerit të Italisë, në stol, përndryshe nëse do përballeshim në fushë rrezikohet që të fluturojë gjaku, madje pellgje gjaku, prandaj më mirë e lëmë…, – qesh Marko, i cili ngritjen e Kupës së Botës e festoi edhe me një kapele të çuditshme me ngjyrat e Italisë.

– E vërteta është që atë kapele ia kam grabitur një tifozi dhe nuk ia ktheva më. Në atë Botëror nuk kisha marrë asgjë speciale që ta vishja në rast fitoreje, pasi jam shumë besëtytnik dhe nuk doja që t’i sillja ters vetes dhe Italisë. Që kur u nisëm për në Gjermani e dinim të gjithë se thjesht duhet të zbarkonim atje dhe të fitonim. Nuk duhej të mendonim asgjë tjetër”.

Vetëm Ronaldo da Lima

Më pas, lidhur me mënyrën sesi ka ndryshuar futbolli nga kohët e tij e deri në ditët e sotme, Marko Materaci nënvizon se sot ky sport është shumë më i shpejt dhe sipas tij vetëm një lojtar mund të mbijetonte sot, nga ata të epokës së tij: “Sot futbolli luhet me një shpejtësi të çmendur kundrejt së kaluarës. Prandaj unë mendoj se nga lojtarët e epokës sime që mund të luante sot është vetëm Ronaldo da Lima, Fenomeni.

Materaci

Askush tjetër përveç tij. Kushdo tjetër që më kalon në mendje nuk do mund të rezistonte. Madje sot, edhe djali im është i aftë që të bëjë disa gjëra me topin, që unë nuk do të mund t’i bëja kurrë, – pranon Materaci, teksa në mbyllje lëshon një sfidë për të gjithë ish-shokët e Kombëtares kampione bote të vitit 2006.

– Propozoj që të gjithë pjesëtaret e përfaqësueses së Botërorit 2006 të nxjerrin në ankand një fanellë të tyren të autografuar dhe në fund të shohim se cila do të blihet me çmimin më të lartë. Kush do të ketë vlerën më të ulët do të jetë i detyruar që t’i ofrojë darkën të gjithë të tjerëve. Madje, përfitoj që tani që t’u them të gjithë interistëve se do të nxjerr në ankand një bluzë të 100-vjetorit të klubit tonë. Por ta dini se mua nuk më pëlqen të humbas sfidën që lëshova, prandaj kini kujdes”, përfundoi Materaci.

 JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"