Mezani: Kam dilema në mbrojtje, ia dalim dhe pa tifozë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2018 | 10:29

Mezani: Kam dilema në mbrojtje, ia dalim dhe pa tifozë

Trajnerit aktual të Luftëtarit, Gentian Mezanit, i duhet të përballet sot me Laçin, ish-ekipin që sezonin e fundit e drejtoi në perfeksion duke siguruar edhe përfaqësimin në Kupat e Europës. Përpos historisë, Mezani me modestinë dhe profesionalizmin që e karakterizon, një ditë para sfidës me Laçin për “Panorama Sport” u shpreh:

mezani

“Laçi është një skuadër që duhet vlerësuar dhe respektuar. Unë kam bindjen e plotë se Laçi ka shpalosur futboll të bukur, të konkretizuar me rezultate pozitive që nga viti i shkuar, pavarësisht dy humbjeve të fundit me kundërshtar të fortë si Teuta dhe Kukësi. Laçianët luajnë futboll të fortë dhe agresiv, dinë të mbrohen mjaft mirë në çdo situatë, çka na e vështirëson shumë mënyrën e gjetjes në befasi të tyre në zhvillimet e lojës”.

SITUATA- Luftëtari i trajnerit Mezani vjen me probleme para laçianëve, pasi disa lojtarë janë jo në kondicionin e duhur. Sikur të mos mjaftonte lëndimi i brazilianit Xhekson në gjurin e djathtë në ndeshjen me Kastriotin, “dhimbjet e kokës” për Mezanin shtohen edhe më shumë, teksa Janiçiç, Liçaj dhe Aleksi s’gëzojnë gjendjen më të mirë fizike. “Gjendja jo e mirë fizike e disa lojtarëve, si Xhekson, Janiçiç, Liçaj dhe ndonjë tjetër, pa dyshim që na vendosë para vështirësive për të përballuar Laçin. Aktivizimi i Xhekson është shqetësim më vete, pasi është lojtar me vlera për skuadrën tonë. Gjithsesi, mbetem besimplotë se lojtari që do ta zëvendësojë brazilianin, do të japë më të mirën. Te Luftëtari të gjithë janë të gatshëm për të dhënë më të mirën në shërbim të rezultatit pozitiv”, vijoi trajneri Mezani.

MUNGESA E TIFOZËVE- Luftëtari-Laçi luhet pa praninë e tifozëve. Një shqetësim më shumë për trajnerin Mezani, që gjithsesi sipas tij, duhet shpërblyer me rezultat pozitiv. “Është e vërtetë që na mungon tifozëria. Futbolli luhet për tifozët dhe nuk është mirë që ndeshjet të zhvillohen pa praninë e tyre. Tifozëria i jep moral skuadrës dhe pa dyshim që ndeshjet luhen për ata, ndaj dhe ne do të mundohemi mos t’i zhgënjejmë. Unë besoj se ata do të jenë krah nesh jashtë shkallëve të stadiumit, pasi janë të lidhur me Luftëtarin”, shtoi trajneri.

luf

FORMACIONI- Në lidhje me formacionin e mundshëm ndaj Laçit, trajneri i Luftëtarit u shpreh: “Një gjë u siguroj se lojtarët që do të zbresin në fushë, do të japin maksimumin e tyre. Dilemat janë më së shumti në mbrojtje, përderisa Xhekson dhe të tjerët kanë probleme dëmtimesh. Paraditen e sotme do të shoh gjendjen e lojtarëve me probleme për të thënë fjalën e fundit sa i takon formacionit të mundshëm”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"