Mesfushori i Pogradecit “qan” gabimet dhe gjykimin: I tregojmë Apolonisë se meritonim kreun, kapim elitën nga vendi i dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2020 | 11:29

Mesfushori i Pogradecit “qan” gabimet dhe gjykimin: I tregojmë Apolonisë se meritonim kreun, kapim elitën nga vendi i dytë

Pas më shumë se 15 javësh në krye, Pogradecit tashmë i duhet të luftojë për vendin e dytë. Ky është i vetmi shans që i ka mbetur, për të tentuar ngjitjen në elitë. Lojtarët “qajnë” gabimet e bëra rrugës, e megjithatë duken të bindur se fundi i këtij sezoni do t’i kthejë në mesin e më të mirëve. Këtë e pohon edhe Hermes Shkullaku, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.shkullaku

Ishit në krye për javë të tëra, por është Apolonia ajo që u ngjit direkt në elitë. Si u ndjetë pas këtij verdikti?

Akoma nuk e kuptoj se çfarë shansi kemi humbur. Kur shpresonim se mund të rimerrnim kreun, tani po mendojmë për vendin e dytë.

Ku gaboi Pogradeci?

Tani që jemi edhe më të qetë, them se ndikuan sa faktorë objektivë aq edhe subjektivë. Kemi gabuar duke lënë pikë, që i mendonim të marra. Por, edhe gjykimi ka lënë shumë për të dëshiruar. Në disa momente ka qenë ai përcaktues.

Tani lufta juaj është e gjitha për vendin e dytë, sa shanse keni?

Derisa ekziston një mundësi, ne do t’i shkojmë deri në fund. Nuk do të tërhiqemi. I kemi potencialet për ta bërë, edhe pse më vjen keq që tani duhet të luftojmë për vendin e dytë.

pogradeci

E keni kërkuar me ngulm golin në javët e fundit, pse?

Ka një arsye që jam kaq këmbëngulës, dua të shënoj sa më shumë dhe dua t’ia dedikoj nipit tim, që pres të vijë në jetë shumë shpejt. Por sigurisht që i dua golat, për t’ia bërë më të lehtë synimet ekipit.

Prisni Apoloninë nesër (sot), që e ka siguruar tashmë ngjitjen. Mund të quhet një finale ky 90-minutësh?

Ndaj Apolonisë do të luajmë për karakter, ego dhe imazh. Duam të tregojmë se ishim ne që e meritonim kreun. Me Lushnjën pastaj, është java e fundit dhe ajo që do të vendosë fatin e vendit të dytë.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"