Mesfushori i Çelsit shpreson: Do bëj gjithçka që ta ndal Mesin, miqtë në fushë nuk më emocionojnë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Mars 13, 2018 | 18:25

Mesfushori i Çelsit shpreson: Do bëj gjithçka që ta ndal Mesin, miqtë në fushë nuk më emocionojnë

“Kamp Nou” është shtëpia e dytë e Fabregasit, por mesfushori spanjoll nuk ka ndërmend të emocionohet kur të zbresë në fushën e lojës me Çelsin mbrëmjen e nesërme. Në një intervistë për “MARCA”-n, ai thotë se të luajë ndaj shokëve dhe miqve motivohet akoma më shumë. Fabregas shpreson që ta limitojë Leo Mesin dhe që Çelsi të sigurojë kualifikimin.

Fabregas gol Celsi

Çfarë do të thotë të rikthehesh në qytetin dhe në stadiumin tuaj pas disa vitesh?

Rikthehem me shumë dëshirë për të mbrojtur ngjyrat e skuadrës sime. Do të jetë një ndeshje e komplikuar dhe shumë e vështirë. 90 minutat në “Kamp Nou” të duken si përjetësi dhe e di që do të jenë shumë të vështira. Jemi duke punuar shumë mirë dhe kemi dëshirë, por e dimë që për të shkuar në çerekfinale na duhet një mrekulli. Jemi të përgatitur edhe për këtë.

Përballë keni miqtë tuaj, duke nisur nga Mesi dhe përfunduar te Pike…

Më pëlqen shumë të luaj kundër miqve të mi. Ke gjithmonë një motivim më shumë dhe kjo është logjike.

Si i keni përjetuar ndeshjet kundër Barcelonës?

Më kanë pëlqyer shumë. Kam luajtur kundër tyre kur isha lojtar i Arsenalit dhe tani me Çelsin. Unë nuk e kam problem të luaj kundër të shkuarës time, kundër miqve. Më ndodh e kundërta, unë motivohem më shumë dhe shokët e mi gjithashtu. Në fund të fundit nuk ka pse të bëj të kundërtën, sepse kërkoj më të mirën për skuadrën time.

Si mendoni se do t’ju presin tifozët e Barcelonës?

Në fakt, nuk ka shumë rëndësi rikthimi im në Barcelonë. E gjithë vëmendja është përqendruar te ndeshja. Ajo që do të ndodhë me mua është në plan të dytë. E rëndësishme është që ne të kalojmë këtë fazë të Ligës së Kampionëve.

Në ndeshjen e parë u përplasët disa herë me shokun tuaj Mesi.

Nëse do të kem fatin të luaj, sigurisht që do të jemi në zona afër njëri-tjetrit. Ta ndalësh atë është shumë e vështirë, por do të përpiqemi të bëjmë të pamundurën që të mos ndihet i qetë dhe të mos e lëmë të bëjë ndeshjen ideale. Por s’duhet të përqendrohemi vetëm tek ai, edhe te të tjerët.

Çfarë mendoni për të si një rival. E shihni si mik apo si armik?

E shoh si një rival në futboll, ku secili dëshiron të fitojë. Jemi në ekipe të ndryshme dhe secili dëshiron më të mirën për ekipin e tij. Por, gjithmonë me respekt për njëri-tjetrin, për kujdesin që duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit për të mos u dëmtuar. Ne duhet të bëjmë ndeshjen tonë dhe duam t’i bëjmë keq Barcelonës.

Cili është sekreti për t’u bërë keq katalanasve?

Është shumë e vështirë. “Kamp Nou” është shumë i madh dhe duhet të vrapojmë shumë, të punojmë mirë dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit. Duhet të përfitojmë nga rastet që na krijohen. Sigurisht që do t’i kemi, kjo është e sigurt. Ne jemi një skuadër që nuk dorëzohemi kurrë dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia dalë.

Javën e kaluar, Juventusi eliminoi Totenhemin dhe ishte pak a shumë në të njëjtën situatë si Çelsi.

Në këto momente të kompeticionit duhet të jesh efikas. Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe vlen shumë. Juventusi nuk pati shumë raste, por dy herë e dërgoi topin në rrjetë. Këto eliminatore mund të ndryshojnë për një minutë. Duhet thjesht të shënojmë, sepse nuk kemi rrugë tjetër. Barcelona ka shumë kualitet dhe mund të na ndëshkojë, por duhet t’i luajmë kartat tona.

fabregas

Mendoni se rezultati 1-1 ishte i duhuri në ndeshjen e parë kundër Barcelonës?

Meritonim më shumë. Pavarësisht se Barcelona e kontrolloi topin, nuk pati raste të shumta për të shënuar. Pa dyshim, sa herë e kishim ne ishim të rrezikshëm dhe krijuam raste. Na ndëshkuan në gabimin e vetëm që bëmë. Por një barazim kundër Barcelonës nuk është kurrë një rezultat i keq. Duhet të shkojmë në Spanjë për të shënuar dhe mund t’ia dalim. Barcelona ka shumë ekuilibër dhe… Leo Mesin.

Do të festoni nëse shënoni në “Kamp Nou”?

Nuk e kam menduar. Këtë sezon unë kam shënuar vetëm 2 gola dhe ka kohë që nuk e kam gjetur rrjetën. Nuk mund të flas për atë që mund të ndodhë. Është një moment i caktuar. Sigurisht që tani do të them nuk festoj, por ku i dihet…

Mund të na tregoni pse zgjodhët Çelsin?

Murinjo më bindi. Ishte shumë i qartë me mua. Unë pata shumë oferta, por më bindi që në momentin e parë kur fola me të.

Ai që nuk mungon kurrë në Champions është Reali.

Më pëlqeu shumë ndeshja me PSG-në në Francë dhe luajtën në mënyrë të shkëlqyer. Ata u mbrojtën mirë, ishin të organizuar dhe merituan kualifikimin






www.minuta90.com