Merr për dore Elbasanin, sulmuesi i ri: Nuk e mendoj rënien

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2020 | 18:37

Merr për dore Elbasanin, sulmuesi i ri: Nuk e mendoj rënien

E premtoi pak ditë më parë në një prononcim për “Panorama Sport” dhe e mbajti fjalën. Sulmuesi i Elbasanit, Kejdi Balla, i dha fitoren skuadrës në ndeshjen e fazës së dytë ndaj Ilirisë dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe në sfidën e fundit, këtë herë me një dygolësh. Deri tani, 21-vjeçari ka shënuar 5 gola dhe duket se po e merr Elbasanin prej dore në realizimin e objektivit të qëndrimit në të Parën. Në prononcimin e tij për gazetën, sulmuesi që këto ndeshjet e fundit ka shpërthyer, tregohet altruist, ashtu siç është edhe në lojë, duke e deleguar meritën te shokët e skuadrës.
kejdi balla
“Çfarë të them për golat, e shoh thjesht si një bërje detyre. Herë ia dal, herë jo, ky është futbolli. Kur është skuadra mirë, jam mirë edhe unë, sepse i vetëm askush nuk ia del dot, futbolli është një lojë kolektive. Me sa duket, Iliria më sjell fat, sepse kam shënuar 3 gola në dy ndeshjet ndaj këtij kundërshtari dhe për fat të mirë i kanë dhënë skuadrës 6 pikë, që në këto kushte ku ndodhemi, na bëjnë shumë punë. Objektivi personal? Nuk është se i kam vënë vetes një objektiv, por nëse do të arrija në kuotën e 10 golave, do ta konsideroja sezonin pozitiv në aspektin personal”, shprehet futbollisti elbasanas, i cili konsiderohet si një nga talentet e brezit të tij.
Elbasani
MBIJETESA – Sipas Ballës, Elbasani do t’ia dalë në fund të mbijetojë në Kategorinë e Parë, sepse e ka treguar që nuk ka asgjë më pak në krahasim me rivalët. Ai premton sërish gol në ndeshjen e radhës, por nuk harron të ulë euforinë në skuadër, sepse Elbasani është ende në vend të fundit. “Mbijetesa është kthyer në një detyrim për skuadrën, sepse do të ishte e pafalshme të binim në të Dytën. As nuk dua ta mendoj që mund të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur. Për fat, jemi ende në garë, kemi një ndeshje më pak dhe mund të rikuperojmë pikë të çmuara. Do të hyj në fushë për të shënuar gjithnjë, pavarësisht se ku dhe ndaj kujt luajmë dhe shpresoj ta bëj sërish. Megjithatë, nuk dua të kalojmë në eufori, sepse jemi ende të fundit dhe nuk kemi arritur asgjë deri më tani”, e mbyll sulmuesi elbasanas. Balla më parë ka qenë edhe pjesë e Luftëtarit, në moshë shumë të re.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"