Merr OK-in e Dajës, qëndërmbrojtësi drejt rinovimit me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2018 | 13:48

Merr OK-in e Dajës, qëndërmbrojtësi drejt rinovimit me Flamurtarin

Ditmar Bicaj do të jetë lojtar i Flamurtarit edhe për një sezon. “Panorama Sport” zbulon se mbrojtësi lezhjan pëlqehet nga drejtuesit, por edhe trajneri Daja, i cili ka dhënë aprovimin që ai të vijojë me kuqezinjtë. Ditët e fundit, Bicaj është kontaktuar nga klubi, drejtues të të cilit i kanë konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve edhe për një sezon tjetër. Drejtues të klubit i kanë thënë Bicajt se e presin në Vlorë.

bicaj flamurtari1

Mendohet që takimi të zhvillohet mes palëve në ditët e para të korrikut, ku pritet të ulen në diskutime për kontratën e re. Pavarësisht se çfarë do të diskutohet mes Bicajt dhe drejtuesve të klubit, palët pritet që ta arrijnë akordin dhe firmosja e kontratës në fillim të muajit korrik duket më shumë se një formalitet. Mbrojtësi Ditmar Bicaj, për gazetën, ka konfirmuar dje se do të takohet me drejtuesit e Flamurtarit dhe me shumë mundësi do të vijojë me vlonjatët. Bicaj deklaroi se në Vlorë ndihet shumë mirë.

bicaj flamurtari

“Do të takohem me drejtuesit e Flamurtarit pas datës 30 qershor, pra në ditët e para të korrikut. Do të ulemi dhe do të flasim. Në Shqipëri, dhe në veçanti në Vlorë, ndihem shumë mirë dhe nuk mendoj të lëviz në ndonjë vend tjetër”, tha Bicaj për “Panorama Sport”. Mbrojtësi kishte disa oferta nga jashtë vendit, por 29-vjeçari nuk e arriti marrëveshjen me klubin Zira të Azerbajxhanit. Palët ishin gati që të nënshkruanin kontratën, por duket se drejtuesit e Zirës kanë devijuar nga biseda e parë që kanë bërë me Bicajn për anën financiare. Ai kishte oferta edhe nga Kroacia, por shtatlarti lezhjan pritet që, edhe për një sezon tjetër, të vishet kuqezi.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"