Merkatoja e Apolonisë, reagimi i Kolelës trazon “ujërat”. Italiani kontradiktor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2020 | 20:40

Merkatoja e Apolonisë, reagimi i Kolelës trazon “ujërat”. Italiani kontradiktor

Pakujdesi, sinqeritet gjer në naivitet apo “kapriço” italiane? Gjithsesi, trajneri Xhovani Kolela ka krijuar një ngjarje jo fort të këndshme për opinionin sportiv në Fier. Pas miqësores me Elbasanin, ku Apolonia u mund 1-0, trajneri Kolela, mes të tjerash, është shprehur: “Merkatoja nuk më intereson fare, është pjesë e klubit”. Është kjo fraza e përdorur nga trajneri, që ngjall jo pak diskutime dhe dilema, jo vetëm për sportdashësit fierakë, por mbase edhe krerëve të klubit nuk u tingëllon mirë shprehja:

KOLELA

“Merkatoja nuk më intereson fare, është pjesë e klubit”… Sepse ai, Xhovani Kolela, është trajneri dhe më mirë se ai askush nuk mund të flasë për nevojat e skuadrës në merkato! Është trajneri që teston grupin që ka, analizon gjendjen, përparësitë dhe mangësitë, përcakton pastaj dhe nevojat e karakteristikat e lojtarëve që i nevojiten për çdo pozicion, duke ia servirur kërkesat e tij klubit, por assesi të shprehet si më lart. Veç kësaj, pas ndeshjes me Elbasanin, një kundërshtar shumë më i ri dhe shumë më pa përvojë se Apolonia, Kolela ka thënë mes të tjerash edhe: “Skuadra nuk më pëlqeu. Nuk përdorim si alibi stërvitjen e mëngjesit. Ishim shumë të lehtë në çdo gjë”, dhe pas kësaj janë tifozët fierakë që i thonë trajnerit italian se nuk ka kujt t’i ankohet për atë që vetë Kolela po bën.

Debati i tifozërisë fierake është i ndarë dysh, ku pjesa dërrmuese mban qëndrim mosbesues ndaj Kolelës, ndërsa kahu tjetër kërkon që trajnerit t’i jepet kohë dhe gjykimi të bëhet gjatë kampionatit. Starti – 54-vjeçari e ka marrë drejtimin e Apolonisë më 2 shtator, pas dorëheqjes së detyruar të ishtrajnerit Artan Mërgjyshi. Përpara “gradimit” si kryetrajner, Kolela ishte pjesë e klubit, si drejtor teknik, dhe më pas pranoi ofertën për të drejtuar ekipin në Superiore. Në karrierën e tij, Kolela ka drejtuar disa skuadra italiane gjer në Serinë B, teksa sezonin 2019-2020 ka qenë trajner i Riminit, ekip që u rendit i fundit nën drejtimin e tij dhe u rrëzua në Serinë D.

SKENDERBEU APOLONIA

Çfarë tha kur u prezantua – Xhovani Kolela u shfaq optimist ditën e parë si kryetrajner i Apolonisë. Në praninë e administratorit Olsi Bregu, grupit të lojtarëve, trajnerëve të akademisë dhe stafit të tij, mes të tjerash Kolela asokohe u shpreh: “Unë e kam njohur skuadrën fillimisht përmes pamjeve filmike dhe kam krijuar një përshtypje të parë pozitive për mënyrën e lojës, dëshirën, grupin. Ishte kjo një ndër arsyet kryesore që unë pranova të bëhesha pjesë e këtij klubi si drejtor teknik. Tani më është besuar detyra e trajnerit, një sfidë e re, e vështirë, por jo e pamundur kur jemi të gjithë bashkë. Unë kam rregullat dhe kërkesat e mia, që nuk janë të shumta, por jam fanatik në kërkesën e zbatimit të tyre.

Në grupin tonë ka lojtarë me cilësi shumë të mira, që bën të mundur edhe suksesin e ngjitjes së skuadrës në Superiore. Unë kam besim të plotë te ju dhe, duke u stërvitur me seriozitet e pasion, do të bëjmë mirë dhe do të jemi të suksesshëm edhe në Superiore”. Pra, në fillim Kolela është shprehur i kënaqur me kontingjentin e skuadrës, duke kërkuar përforcime vetëm në fazën defensive, ndërsa deklarata e tij e fundit: “Merkatoja nuk më intereson fare, është pjesë e klubit”, duket se nuk ka lënë shije të mirë edhe te drejtuesit fierakë, pasi një trajner nuk mund të distancohet nga ajo që është esenciale e punës së tij. Ose, le të besojmë që trajneri i Apolonisë nuk ka gjetur dot shprehjen e duhur pas ndeshjes me Elbasanin dhe ka shkaktuar keqkuptim ajo që Kolela ka thënë.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"