Mërgjyshi e pranon: Nuk jemi aty ku duhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2019 | 11:29

Mërgjyshi e pranon: Nuk jemi aty ku duhet

Trajner i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, i gëzohet fitores, por jo lojës së skuadrës së tij, duke theksuar edhe një herë se parashikon një garë aspak të lehtë në këtë grup. “Ndeshja na u bë e vështirë dhe e zgjidhëm vetëm në fund, falë insistimit dhe ndryshimit të lojës në pjesën e dytë. Edhe në pjesën e parë patëm të paktën dy mundësi të mira të pashfrytëzuara, por me kalimin e minutave skuadra hyri në tension.mergjyshi

Na e vështirësoi edhe kundërshtari që rrëzohej në fushë dhe vononte lojën, ndërsa gjyqtari nuk e menaxhoi si duhet këtë pjesë. Gjithsesi, nuk dua të nxjerr justifikime. Ne akoma nuk jemi aty ku duhet të jemi dhe kjo u duk me kalimin e minutave, ku humbëm kthjelltësinë, por jo fuqinë. Skuadra nuk u fut dot në ritëm, pasi na e ngadalësoi edhe kundërshtari, por duhet të ishim treguar më cinikë dhe më të zgjuar për administrimin e lojës, jo me topa të gjatë.

Megjithatë, morëm 3 pikë të rëndësishme dhe unë e kam thënë që nuk ka kundërshtarë të lehtë. Ndaj Ilirisë vuajtëm shumë, por ndonjëherë vlen më tepër të mos luash aq mirë dhe të marrësh fitore, sesa të luash mirë dhe të humbasësh”, deklaroi Mërgjyshi për “Panorama Sport”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"