“Menduam se ishim kualifikuar, babai më paralajmëroi”, Mançini: Nëse shmangim Portugalinë, nuk trembemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 14:00

“Menduam se ishim kualifikuar, babai më paralajmëroi”, Mançini: Nëse shmangim Portugalinë, nuk trembemi

Roberto Mançini nuk bëri një rikthim të bukur në Itali, pas barazimit dramatik me Irlandën e Veriut, i cili e dërgoi në “play off” kombëtaren e tij, ndonëse trajneri i “Axurrëve” nuk mungoi që të merrte pjesë në “Social Football Summit”, ku pati një intervistë edhe me gazetarin Marino Bartoleti.

mancini 1

“Në pritje të ‘play off’-eve në muajin mars, shqetësimi im më i madh është ai që lidhet me dëmtimet. Nëse arrijmë të shkojmë në ato dy ndeshje me grupin të plotë dhe nëse shmangim në finalen e mundshme Portugalinë, jam i sigurt se kushdo që do të na dalë përpara, nuk është në nivelin tonë. Pa dyshim që kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në një Botëror, mendoj se do të ishte e dhimbshme për të gjithë sikur të kishim një finale minigrupi  mes Italisë dhe Portugalisë, pasi pa këto dy skuadra nuk ka kuptim një kompeticion si Kupa e Botës.

Prandaj, do të doja me çdo kusht që të shmangnim Kristiano Ronaldon me shokë, sepse nuk mendoj se asnjë kombëtare tjetër mund të na trembë”.

Lidhur  me ndjesinë personale pas rikthimit nga Irlanda e Veriut, Roberto Mançini nuk fshihet: “Nuk ishte një rikthim i bukur, ndonëse dihej se Irlanda e Veriut ishte një etapë e rëndësishme e kalendarit, pavarësisht se edhe barazimi mund ta na kishte mjaftuar, nëse do të ishim sjellë ne ndryshe në punë në grupin tonë.

Më djeg shumë fakti se vijmë nga një seri prej 41 ndeshjesh në të cilën kemi humbur vetëm një, pa harruar se edhe atë disfatë e pësuam kundër Spanjës, në një ndeshje ku luajtëm 10 kundër 11. Në të njëjtën kohë, në momentin më të rëndësishëm e gjetëm veten me gjysmë skuadre në infermieri, por as kjo nuk mund të shërbejë si një alibi, duke qenë se gabimin më të madh e bëmë ne, në kokën tonë, duke menduar shumë përpara kohe se ndoshta ishim kualifikuar për në Botëror dhe ky nënvlerësim na kushtoi, vazhdon Mançini, i cili në fund pranon edhe një gabim personal.

– Babai im i sheh dhe i analizon të gjitha ndeshjet tona dhe përpara Zvicrës më paralajmëroi: ‘Roberto, ki kujdes në mbrojtje’. Ndoshta duhet ta kisha dëgjuar”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"