“Më vjen keq për Flamurtarin, por do ta mund”, Musta: Me “të voglat” kemi gabuar, ndaj duhet kujdes (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 23:10

“Më vjen keq për Flamurtarin, por do ta mund”, Musta: Me “të voglat” kemi gabuar, ndaj duhet kujdes (E PLOTË)

Kukësi pret fitoren e radhës në “Roza Haxhiu”. Këtë herë përballë do të kenë Flamurtarin dhe kush më shumë se Emiljano Musta e njeh kundërshtarin. Mesfushori ka luajtur dhe shkëlqyer në Vlorë, ndaj kujtimet i ka realisht të mira. E megjithatë, kur vjen puna te profesionalizmi, nuk mendon gjë tjetër veç trepikëshit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari thekson se ka ardhur koha që të mos nënvlerësohet asnjë kundërshtar që në letër është i më “dobët” se ata.

emiliano musta

Përballeni me të shkuarën këtë të diel dhe gjeni një kundërshtar që po dergjet në fund. Ndieni keqardhje?

Është një ndeshje speciale për mua, sepse luaj ndaj ekipit ku kalova 2 vitet e fundit. Dhe duhet thënë që shumë të mira, pasi kishim ekip kompakt dhe me futbollistë mjaft cilësorë. Më vjen keq që Flamurtari është në këtë gjendje dhe shpresoj që të kalojnë sa më shpejt e të rikthehen atje ku duhet. Kam miq në Vlorë dhe respekt për klubin e kolegët, por tashmë unë jam pjesë e Kukësit dhe dua të bëj e të jap më të mirën këtu. Por, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të shohim nga vijmë. Flamurtari ka fanellë të rëndë dhe është ekip i respektuar e me traditë, ndërsa Kukësi ekip kampion.

Keni folur me lojtarët që keni lënë në Vlorë?

Normalisht që kam biseduar, pasi në ekip kam lënë mjaft shokë të mirë, por siç e theksova dhe më sipër, që në qytet kam shumë miq, ndaj është ndeshje speciale. Ata kërkojnë më të mirën për ekipin e tyre, siç kërkoj dhe unë më të mirën për skuadrën time. Është e vërtetë që Flamurtari ndodhet në vendin e fundit, por Kukësi e ka pësuar ndaj ekipeve të ashtuquajtura “të vogla”, si Bylis apo edhe ndonjë tjetër.

Si po e përgatitni ndeshjen?

Të gjitha ekipet janë të forta dhe nuk ka aspak diferenca, si në renditje, ashtu edhe në cilësi. Pra, nuk ka dallime të mëdha. Ne po e përgatisim me shumë seriozitet ndeshjen e radhës dhe për ne vlen njësoj si të luajmë ndaj Partizanit apo cilitdo ekipi në krye apo poshtë në tabelë. Sporti ka treguar se nuk ka diferenca, ndaj duhet të japim maksimumin për të marrë tri pikët.

U rikthyet në fushë kundër Partizanit. Sa ju kishte munguar fusha?

Qëndrova për gati 2 muaj jashtë fushave dhe e kam vuajtur shumë, por tashmë çdo gjë ka kaluar dhe shpresoj të kthehem më i fortë. Çdo ditë sa vjen e përmirësohem, e po rikthehem në formën më të mirë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin sa më shumë të jetë e mundur.

musta kukesi laci

Dhe kur mund ta shohim “shpërthimin” e Mustës?

Unë e nisa mjaft mirë kampionatin me ekipin e Kukësit dhe shpresoj ta vazhdoj si e lashë me paraqitje sa më pozitive. Çdo gjë ia lëmë kohës dhe fushës, por unë kam bindje për cilësitë e forcat e mia.

Si e shihni garën për titull dhe a besoni se mund ta fitoni trofeun me Kukësin?

Është shpejt për të folur për titull, sepse s’ka kaluar akoma as 1/3 e kampionatit dhe ekipet janë të gjitha aty. Gara do të jetë shumë e fortë dhe ne jemi një ndër pretendentet kryesore për ta fituar, shpresoj që të arrij në fund të fitoj titullin, pasi është një ndër arsyet që kam ardhur te Kukësi. Në fakt, për çdo lojtar është ëndërr të marrë kampionatin, por unë shpresoj se do ia arrij. Duke parë cilësinë, kualitetin, grupin që kemi, kam bindjen se do jemi deri në sekondën e fundit aty për të marrë trofeun. Uroj mos të kemi dëmtime sepse secili lojtar është shumë i rëndësishëm për ekipin.

Meqenëse jemi te mungesat, nuk luajnë Shkurtaj, Limaj dhe Obanor. Sa ju penalizojnë?

Është e vërtetë që të gjithë emrat që përmendët janë shumë të rëndësishëm për ekipin dhe natyrisht që janë vlerë e shtuar për ne. Nuk e di nëse janë apo jo, ajo është çështje tjetër, unë mendoj se gjithkush që luan dhe është pjesë e Kukësit jep maksimumin për ekipin. Ne funksionojmë si një trup, forca jonë është karakteri dhe cilësia.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"