“Me Tiranën do të jetë spektakël”, kapiteni Gurishta: Gati të fitojmë trofeun e Superkupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 21:32

“Me Tiranën do të jetë spektakël”, kapiteni Gurishta: Gati të fitojmë trofeun e Superkupës

Erdenis Gurishta, kapiteni i Vllaznisë është shprehur optimist për sa i përket fitimit të Superkupës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka folur për sa i përket rikthimit të Latifit, por edhe për shqetësimet që kishin Bulatorviç e Juriç.

gurishta

Gjithsesi, kapiteni më shumë beson te forca e grupit, jo vetëm për Superkupën ndaj Tiranës, por edhe për kampionatin në vazhdimësi deri në ndërprerjen që do të ketë sërish në fund të vitit.

Disa ditë përgatitje intensive, sa vlejtën për ju?

Ishin përgatitje normale duke pas parasysh edhe ndërprerjen e kampionatit. Nuk ishte shumë e gjatë dhe pothuajse çdo lojtar e ka ruajtur atë gjendje që kishte para se të ndalej kampionati. Më shumë na shërbeu për rikthimin e disa lojtarëve që kishin probleme dëmtimesh.

Si është gjendja e skuadrës?

Gjendja e ekipit është e mirë, por kemi edhe disa ditë kohë në dispozicion deri në sfidën e Superkupës.

Kur u duk se gjërat po shkonin mirë me rikthimet, siç është ai i Latifit, sërish dy lojtarë të dëmtuar si Bulatoviç e Juriç. Sa ndikim do të kenë?

Na gëzon rikthimi i Liridonit, sepse kemi nevojë për cilësitë e tij, ndërsa nga ana tjetër të dy lojtarët e qendrës së mbrojtjes u dëmtuan dhe sigurisht na i prishin pak planet. Megjithatë, futbolli kështu e ka e do të ketë edhe dëmtime. Ne po përgatitemi me ata lojtarë që janë në dispozicion.

E gatshme Vllaznia për përballjen e Superkupës?

Pa diskutim që jemi gati. Të gjithë po presim ditën e ndeshjes. Vllaznia e Tirana gjithmonë dhurojnë emocione dhe spektakël si në fushë dhe në tribuna dhe e tillë besoj se do të jetë edhe kësaj here.

Këtë sezon Tirana s’ka fituar në asnjë takim ndaj jush, do të jeni ju fituesit e Superkupës?

Kjo është ndeshje tjetër nga ato të kampionatit që kemi luajtur. Është finale dhe mendoj se nuk ka skuadër favorite. Gjendja në ditën e ndeshjes dhe fusha do të tregojnë se cila skuadër e meriton fitimin e Superkupës. Unë shpresoj dhe besoj se do të jemi ne.

Do të jetë kjo një dhuratë e bukur për tifozërinë për fundvit, apo besoni që pas katër takimeve të kampionatit që do të luhen deri në fundvit të jeni në dy vendet e para?

E thashë edhe më lart, unë shpresoj shumë të jemi ne fituesit e Superkupës dhe do të luftojmë, që ta arrijmë dhe të gëzojmë bashke me tifozërinë. Ndërsa në kampionat gjithçka është e hapur, tri pikë na ndajnë nga vendi i parë dhe të gjitha mundësitë janë që të arrijmë atë çfarë dëshirojmë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL