“Me Tërbunin, fitojmë ne”, flet mbrojtësi i Lushnjes: Burreli për turp! Që nga minuta e 20-të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 10:57

“Me Tërbunin, fitojmë ne”, flet mbrojtësi i Lushnjes: Burreli për turp! Që nga minuta e 20-të…

Kishte një muaj larg fushe dhe sapo u kthye, nderoi Lushnjën. Në ndeshjen e stërgjatë kundër Burrelit, u bë pikërisht Florian Daci shpëtimtar. Shënoi një gol në të 102-ën minutë dhe shmangu humbjen. Ashtu si mori rrjedha e ndeshjes, barazimi quhet sukses, ndonëse skuadra e Klodian Duros humbi shansin që të kapte vendin e dytë në Kategorinë e Parë. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi rrëfen aventurën te verdhejeshilët dhe tregon çfarë nuk shkoi kundër matjanëve.

lushnja

“Jam pjesë e Lushnjës që nga janari i këtij viti dhe ndihem super, ndaj rinovova gjatë verës. Pas dëmtimit që pësova në miqësoren me Skënderbeun, erdhi rikuperimi.

Unë aktivizova në pjesën e dytë dhe falënderoj fizioterapistin Arsid Prifti dhe Mishel Topallin, që më rikthyen në kohë rekord. Profesor Duro me porositi të kisha kujdes nga kundërsulmet pasi ishim duke sulmuar dhe më tha se do të shënoja gol. E falënderoj shumë sepse po mësojmë nga eksperienca e tij.

Na qëndron pranë dhe na ka ndihmuar shumë në çdo aspekt. Barazimi? Është për të ardhur keq që lamë dy pikë në fushën tonë me Burrelin. Që nga minuta e parë deri në fund, luajtëm në portën kundërshtare.

E nisëm lojën shumë mirë në sulm dhe patëm dy raste të pastra shënimi. Edhe pas golit që shënoi kundërshtari treguam karakter dhe e rritëm lojën edhe më shumë.

Kishim shumë mundësi, por edhe fatin kundër në këtë ndeshje. Është për turp që kundërshtarët nga minuta e 20-të, vetëm shtriheshin në fushë. Donin të vononin lojën. Është zhvilluar shumë pak lojë efektive prej vonesave të jashtëzakonshme. Kam shumë besim se këtë javë do të rikthehemi te rezultatet pozitive.

Do të vazhdojmë rrugën tonë, që është futja në Superiore. E vlerësojmë shumë transfertën me Apoloninë. Është një ekip i fortë, por ne kemi besim se do të kthehemi me tri pikë në Lushnjë.

Por fillimisht të kalojmë Tërbunin? Do të kërkojmë maksimumin edhe në ndeshjen e nesërme (sotme) në Kupë. I presim në fushën tonë pukjanët dhe ata e çdokush do ta ketë të vështirë në ‘Roza Haxhiu’.

Do të futemi në fushë vetëm për fitore. Të gëzojmë tifozët tanë me fitore si në Kupë edhe në kampionat. Janë më të mirët dhe na mbështesin në çdo moment si brenda edhe jashtë fushe”, përfundoi 31- vjeçari.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"