Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që spikatën në javën e 33-të të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 11:51

Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që spikatën në javën e 33-të të Superiores

“Panorama Sport” ju paraqet notat e skuadrave për atë që dhanë në javën e 33-të të Superiores, formacionin më të mirë dhe të dobët të kësaj jave.

superiore-11

NOTAT E SKUADRAVE

PARTIZANI 8.5 – Nuk gabon në një ndeshje shumë të rëndësishme, që mund të konsiderohet edhe një lloj testi para “Final 4”. Skuadra e Shehit dominoi ndaj kundërshtarit, krijoi më shumë raste dhe shënoi 2 herë, duke treguar qartë se është një kandidate shumë serioze për fitimin e titullit.

VLLAZNIA 8 – Kthesa vjen ndoshta aty ku pritej më pak, në fushën e kryesuesve të renditjes. Vllaznia shfrytëzon në mënyrën më të mirë superioritetin numerik dhe e ndihmuar edhe nga fati, ruan vendin e dytë në një transfertë shumë delikate.

TEUTA 7.5 – Nuk bën shumë gjëra në fushë, por bën detyrën, duke marrë 3 pikët në Kukës. Me këtë fitore durrsakët jo vetëm që lënë edhe vendin e 8-të që të çon në “Play-out”, por hapin një “dritare” edhe për vendin e 4-t.

SKËNDERBEU 7.5 – Fitore minimale për korçarët, por e rëndësishme për të siguruar matematikisht qëndrimin në elitë dhe për të synuar “Final 4” deri në fund. Skënderbeu menaxhon shumë mirë një ndeshje, nga ato që shpesh të hapin probleme.

LAÇI 6 – Me 4 mungesa titullarësh, barazimi në fushë asnjanëse ndaj Dinamos mund të konsiderohet si fitore për Laçin. Më shumë se aq nuk mund të bënte skuadra e trajnerit Cungu, aq më tepër ndaj një kundërshtari që mban vendin e 4-t.

TIRANA 6 – Ka meritën se iu përgjigj si duhet rivalit historik deri në minutën e fundit të derbit, pavarësisht humbjes. Me organikën që ka, Tirana bëri një ndeshje relativisht të mirë, duke u shfaqur rrezikshëm në disa momente.

DINAMO 5 – Një hap fals barazimi në Elbasan me Laçin. Ato dy pikë të lëna mund të kushtojnë shumë në fund të 36 javëve. Blutë bënë shumë pak për të shkuar te fitorja në një ndeshje që duhej kaluar me sukses.

ERZENI 4 – Edhe pse matematika e mban ende në lojë, Erzeni u duk i dorëzuar në Korçë. Me përjashtim të disa momenteve në pjesën e parë, skuadra shijakase nuk pati rrezikshmërinë dhe grintën e ndeshjeve të tjera.

KUKËSI 4 – Shpresat për qëndrimin në Superiore ishin shuar, por asgjë nuk e pengonte skuadrën verilindore të bënte ndeshjen e saj. Ata që patën shansin të luanin, mund të kishin bërë diçka më shumë në atë 90- minutësh.

EGNATIA 4 – Një ndeshje që nisi keq, me atë karton të kuq, dhe vazhdoi ashtu deri në fund. Humbja në shtëpi me Vllazninë mund të vërë në diskutim vendin e parë për Egnatian, që të paktën nuk duhej të humbiste me shkodranët.1

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"