EKSKLUZIVE/ Dinamo arrin akordin me sulmuesin e Luzit, rinovon edhe një mbrojtës i djathtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 18:03

EKSKLUZIVE/ Dinamo arrin akordin me sulmuesin e Luzit, rinovon edhe një mbrojtës i djathtë

Peter Mandela Itodo, i njohur tashmë në futbollin shqiptar si Mandela, do të jetë përforcimi i parë i Dinamos.

DINAMO STERVITJE

Sulmuesi 20- vjeçar që spikati sezonin e fundit me Luzin, duke shënuar 19 gola në Kategorinë e Parë, sipas burimeve të gazetës pranë klubit kryeqytetas, pritet të dalë sot në stërvitje me blutë. Ai do të vihet nën urdhrat e trajnerit Mehmeti dhe do të stërvitet me skuadrën deri në fund të muajit. Ende nuk janë bërë të ditura detajet e marrëveshjes mes palëve, megjithatë “Panorama Sport” mëson se dy klubet kanë rënë dakord për ta pasur 50 me 50 vlerën e kartonit të sulmuesit nga Nigeria.

Për Mandelën ka pasur edhe një interesim nga Partizani kohët e fundit. Lojtari ka treguar vlera në kampionatin që lamë pas, duke u shfaqur si një goleador “race”. Me afrimin e tij Dinamo shton një alternativë të mirë për sulmin dhe njëkohësisht bën pjesë të saj një element, që në të ardhmen mund t’i sjellë të ardhura. Në organikën e bluve, sa i takon qendrës së sulmit bëjnë pjesë lojtarë si Kaçorri, Tahiri dhe i riu Ballhysa. Me siguri Mandela nuk do të jetë afrimi i vetëm për sulmin, pasi skuadra ka nevojë për një lojtar me eksperiencë që të arrijë objektiva madhorë sezonin e ardhshëm.

MEKSI – Në anën tjetër, klubi dinamovit po vazhdon punën me lojtarët që ishin në skuadër. Janë larguar tashmë lojtarët në fund kontrate, si Marku, Behiratçe, Bardhi, Allmuça, Danaj dhe Smaçi, ndërkohë që këtë rrugë pritet të ndjekin të paktën edhe Rexhepi e Vila. Klubi ka rinovuar edhe për dy vjet kontratën me mbrojtësin e djathtë, Jorgo Meksi. Lojtari i ardhur në merkaton e dimrit te Dinamo kishte firmosur për 6 muaj, me të drejtë rinovimi. Dhe kështu ka ndodhur, 29-vjeçari do të jetë pjesë e Dinamos edhe për dy sezonet e ardhshme. Me largimin e Markut, ai do të aktivizohet si titullar në formacionin e bluve. Meksi luajti 4 ndeshje gjatë kampionatit të fundit, 3 nga të cilat si titullar dhe 1 si zëvendësues. Drejtuesit e Dinamos po mendojnë gjithashtu edhe për një alternativë për këtë pozicion dhe po shohin së pari mundësitë që afron kampionati shqiptar. Po ashtu, po shihet edhe për një mbrojtës të majtë si alternativë të Lorran.

MERKATO – Klubi kryeqytetas po ndjek edhe disa pista për përforcimin e skuadrës me një lojtar big për çdo repart. Mesfusha ka vëmendjen kryesore, pasi ka qenë edhe sektori më problematik. Dinamo po kërkon një numër 6 dhe një numër 10 dhe deri tani ka kontakte me lojtarë të Superiores dhe të tjerë nga jashtë vendit. Me kalimin e ditëve pritet të konkretizohen afrimet e tjera që do të plotësojnë grupin e Dinamos. Këtë herë drejtuesit nuk kanë shumë punë, sepse skuadra ka një bazë nga sezoni i fundit, duke nisur me Salin, për të vazhduar me Hoxhën, Lorran, Gudiabin, Zabërgjën, Meksin, Jankun dhe disa të tjerë.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"