“Me Pogradecin është finale”, trajneri i Lushnjës kërkon pathyeshmërinë: Terreni nuk është më i miri, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2022 | 11:49

“Me Pogradecin është finale”, trajneri i Lushnjës kërkon pathyeshmërinë: Terreni nuk është më i miri, por…

Tri barazimet e një pasnjëshme e zbritëm Lushnjën në zonën e “play out”-it. Verdhejeshilët janë ende në telashe dhe sot bëjnë fiks një muaj pa fitore (e fundit ka qenë ajo e 19 shkurtit të kaluar kur Besa fitoi 1-0). Kundër Pogradecit do të kërkojnë kthesën e madhe, për të fituar terren në renditje.

AGIM CANAJ

“Bonusi” i vetëm është stadiumi. Nuk kanë humbur asnjë ndeshje në “Roza Haxhiu” gjatë këtij sezoni, duke grumbulluar 23 pikë nga 27 që ka në total. Në shtëpi njohin deri më tani 6 fitore dhe 5 barazime.

Agim Canaj kërkon pathyeshmërinë edhe ndaj liqenorëve, që gjë e thotë edhe në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”.

“Gara ka hyrë në një fazë delikate dhe ndeshjet sa vijnë e vështirësohen. Me Besëlidhjen dhe Turbinën nuk shkuam më larg se barazimi, por luanim jashtë fushës sonë. E megjithatë, jemi deficit me pikët. Ajo që më jep shpresë, është se skuadra po konsolidohet. Nesër (sot) kemi një finale me Pogradecin.

E presim në shtëpi dhe kemi marrë masat tona, që ta fitojmë. Kundërshtari luan mirë futboll dhe kërkon kujdes, ndaj e kemi vlerësuar maksimalisht. Për ne, të 7 takimet e mbetura janë finale”, tha fillimisht numri një i stolit.

Ai u ndal edhe te situata e fushës, ndërsa saktësoi se nuk është në gjendjen më të mirë.

“Terreni është jo optimali që kemi kërkuar. Por ne këtu luajmë fatkeqësisht. Do të mundohemi t’i përshtatemi gjithmonë edhe kundërshtarit, edhe fushës. Për këtë kemi punuar gjatë gjithë javës.

Në një terren disi të dëmtuar, kuptohet, që është në prag të rikonstruksionit. Ne do të mundohemi ashtu si në të gjitha ndeshjet e tjera të gjejmë mundësitë për të arritur te suksesi”, përfundoi tekniku i verdhejeshilëve.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"