“Me Kukësin ishte humbje e pamerituar”, Shtubina: Ngërçi kaloi, gati të surprizojmë ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 10:05

“Me Kukësin ishte humbje e pamerituar”, Shtubina: Ngërçi kaloi, gati të surprizojmë ndaj Tiranës

Egnatia arkivon Kukësin dhe kthen vëmendjen vetëm te kundërshtari i radhës që është Tirana. Pas asaj humbjeje të pamerituar me kuksianët, këtë herë pritet diçka më ndryshe. Në një deklaratë të përgjithshme për “Panorama Sport”, kapiteni Ndriçim Shtubina është optimist dhe shpjegon gjithçka në ecurinë e tanishme dhe atë në vazhdim.

Shtubina

Humbët me Kukësin. Si e prisni ndeshjen me Tiranën?

Me Kukësin zbritëm në fushë për të bërë më të mirën e mundshme. Përshtatja me lojën u arrit shpejt pavarësisht se pësuam gol që duhej anuluar për faull ndaj portierit tonë. Pak rëndësi ka se u quajt gol i rregullt, ai moment prishi ekuilibrat tërësisht. Edhe pak minuta më pas ishte një penallti e saktë për ne, sërish nuk kishte akordim siç duhej. U vijua loja sikur të mos kishte ndodhur asgjë përballë një tifozërie korrekte që në fund u zhgënjye nga të dyja rastet. E them me plot bindje se ishte një humbje e pamerituar ku veç gjykimit mundëm veten tonë dhe besimi për të reaguar është i madh tashmë.

Mendoni se do të shënoni nëse luani nga minuta e parë me kryeqytetasit?

Shpresoj shumë të shënoj, nëse më krijohet mundësia ideale. Gjithmonë jam gati të jap më të mirën e mundshme për këtë fanellë. Stafi e skuadra më vlerësojnë në çdo moment. Skuadra nga ana tjetër më bën që të jem dyfish i motivuar sa herë luaj. Vlen të theksoj se me përvojën që kam mbi supe, më vlerë ka kur shënon një gol trepikësh që në fund i kënaq të gjithë jo vetëm mua. Rëndësi ka që gjithçka të shkojë sipas parashikimit tërësor që mund të kemi në çdo javë.

Si ndihet Shtubina me grupin e ri?

E them me plot bindje se është një grup lojtarësh me mjaft cilësi në çdo drejtim. Të gjithë kanë luajtur në nivele të larta e kampionate të forta, ku kanë ditur të shpalosin më të mirën e tyre kurdoherë. Me vitet që kam si pjesë e futbollit, mund të them se na duhet pak kohë për të krijuar stabilitetin e duhur. Skuadra po vjen në rritje në shumë aspekte, që është detaji kryesor. Ngërçi i përfaqësimit do të kalojë e do të ngjitemi aty ku duhet që ndaj Tiranës, ku do të luajmë në një terren të mirë sërish e do të mundohemi të bëjmë dallim si skuadër që shtron rrugëtimin pas disa vitesh mungesë në elitë.

E vlerësoni Tiranën si kundërshtar, e pretendoni kthesën?

Së pari, Tiranën duhet ta vlerësojmë vetëm nga tradita që ka në futbollin tonë. Nuk duhet t’i quajmë të pakalueshëm. Ne si skuadër qoftë më parë dhe tani kudo duhet të bëjmë hyzmetin për pikët e plota. Mbeten 90 minuta për të luajtur e jo një pjesë loje. Duhet të jemi të vëmendshëm 100%, ndryshe nga miqësorja që luajtëm me ta. Tashmë në duelet zyrtare gjithkush mendon për vete. Investimet e objektivat futen në një fazë konkrete pavarësisht javëve. Jemi përgatitur për t’i mundur ata gjatë gjithë kësaj jave stërvitore. Programi ka qenë gjithëpërfshirës e vetëm duhet të tregojmë saktësi në veprimet tona në çdo kohë të lojës. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit final, s’na mungon asgjë.

Ku e shihni Egnatian të renditur këtë sezon në Superiore?

Fillimisht Egnatia duhet t’i marrë gjërat me radhë. Kampionati sapo ka nisur për të gjithë. Çdo gjë arrihet e prishet shumë shpejt. Duhet të jemi besimplotë. Jo vetëm ne nga grupi ekzistues i titullarëve, por edhe të afruarit e merkatos po përshtaten dita-ditës. Në futboll gjithçka arrihet me punë. Te rrogozhinasit duhet të ketë qetësi në çdo përballje. Puna rigoroze gjithashtu është në ritëm të lartë, që skuadra të jetë sa më lart çdo herë e të marrë hakun e saj. Suksesi vjen atëherë kur nuk e pret.

Ku ndiheni më mirë, në mesfushë apo ku të jetë nevoja?

Për mua nuk është shumë problem se ku luaj. Rolin në fushë e se kur do ta nis, në fillim apo më pas e di vetëm stafi i trajnerëve. Mua më mjafton të përgatitem në stërvitje dhe ditën e përballjes të mos mungoj kollaj. Përjashtim bën vetëm kur je me kartonë apo i dëmtuar. Jam falënderues se deri tani gëzoj formë të mirë. Gjithmonë jam gati të luaj ku të jetë më e nevojshme për stafin e skuadrën nga ana tjetër. Edhe më parë kam mbuluar më mirë role të tjera veç mesfushës.

Premtoni gola në javët e tjera deri në fund të sezonit?

Është shumë e vështirë të premtoj që tani në nisje të javës së dytë të kampionatit. Por them se do të vlerësoj çdo rast që më krijohet në lojë në minuta të ndryshme. Në fushë do të jap shpirtin për fanellën që më është besuar. Nëse je në formë dhe gjendesh në kërkim të së mirës e në shërbim të skuadrës sate çdo gjë arrihet. Golat më pas nuk do të mungojnë, jo vetëm unë, por të gjithë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Të mirat e programuara së bashku me golat nuk vonojnë në vlerësimin që mund të bësh kudo që të luash. Për çdo gol mund të kem dedikim, po është herët të flas. Shpresoj të kemi edhe fatin të gjithin në anën tonë si unë edhe klubi.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"