“Mbape do të jetë Ronaldo i ri”, Mateus: Bajernit u ka shteruar shkëlqimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 21:23

“Mbape do të jetë Ronaldo i ri”, Mateus: Bajernit u ka shteruar shkëlqimi

Bajerni rrezikon të largohet nga Champions-i në fazën çerekfinale pasi humbi me rezultatin 3- 2 në ndeshjen e parë ndaj Parisit në shtëpi. Kampionët në fuqi bënë shumë për të shmangur këtë humbje e cila në fund mund të rezultoi fatale. Për Lotar Mateusin ajo që mungoi të mërkurën në mbrëmje ishte kualiteti i disa lojtarëve në formacionin bavarez.

Mateus

“Levandovski me shumë mundësi do të ketë kafshuar kolltukun në shtëpi nga inati që nuk ishte në fushën e lojës. Bajerni krijoi shumë raste të cilat ia dhuroi kundërshtarit duke mos i ndëshkuar, – tha Mateus për “Sky”. – Duhet ta pranojmë që ishte një ndeshje e bukur dhe një reklamë për futbollin në përgjithësi. Gjithashtu, ishte një humbje e panevojshme për kampionët në fuqi. Bajerni dominoi, por Parisi ishte më konkret. Mbape tregoi edhe një herë tjetër se është një nga lojtarët më të mirë në botë”.

NDESHJA E KTHIMIT

Flikut do t’i duhet të bëjë pa Gnabrinë dhe Levandovskin në ndeshjen e kthimit. Gjithashtu, në pikëpyetje janë edhe Leon Gorecka dhe Niklas Zyle, të cilët u larguan nga fusha e lojës pas një problemi muskulor. Për Mateusin, Bajerni ka një problem formacioni, kjo, sipas tij, duhet të ishte menduar para sezonit, kur u planifikua përbërja e skuadrës. “Bajerni është një skuadër që luan për të gjashtë trofetë. Ndoshta duhet të kishin menduar më mirë për lojtarët zëvendësues. Nuk kam asgjë me Çupo-Motingun i cili ndaj Parisit bëri një ndeshje të madhe duke shënuar edhe një gol, por mendoj që bavarezët duhet të kishin edhe alternativa të tjera për sulmin dhe pjesën tjetër të skuadrës”.

MBAPE SI RONALDO

Me dy golat ndaj Bajernit, Kilië Mbape arriti të thyente rekordin e Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos. Vetëm 22 vjeç, tre muaj dhe 18 ditë, Mbape arriti kuotën e 27 golave në Champions. Mateus mendon se francezi është një lojtar që duhet të luajë për Realin e Madridit. “Ai është një lojtar perfekt për Realin. Aty ai mund të bëhet Ronaldo i ri. Kilië kërkon të bëhet një lojtar i madh dhe për këtë duhet të luajë në një skuadër të madhe. Mendoj që madrilenët do të ishin skuadra perfekte për të”, tha ish-kapiteni i kombëtares gjermane. Kujtojmë se kontrata e Mbapesë skadon në sezonin e ardhshëm. Zërat për një kalim te Reali për 180 milionë euro vazhdojnë të qarkullojnë në mediat më të njohura në Europë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"