Magani: Nuk është fundi i botës, shumë mirë që humbëm tani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2017 | 19:43

Magani: Nuk është fundi i botës, shumë mirë që humbëm tani

Trajneri i Teutës, Gugash Magani, e pranon që Flamurtari e fitoi me meritë ndeshjen e sotme, edhe pse shprehu rezervat e tij për mosakordimin e një penalltie në pjesën e parë. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Supersport”, ai tha se e mira e kësaj humbjeje është që erdhi në fillim të kampionatit dhe durrsakët kanë kohë për të reaguar dhe për të mësuar nga gabimet.

magani

Për humbjen

“Po t’i referohemi pjesës së parë, mendoj që nuk ishim fare skuadër, ishim të shthurur, pa grinte, pa ekuilibra. Na mërziti mungesa e shpejtësisë së mendimit, u ndëshkuam nga gola për gabime tonat dhe meritë të kundërshtarit. Nuk dua të polemizoj me vendimet e arbitrit, por kam rezerva për një penallti në pjesën e parë. Nëse kjo do ishte penallti, do ndryshonte rrjedha e lojës.

Megjithatë ajo që më qetëson është që kështu e ka futbolli, edhe mund të humbësh përballë një kundërshtari që e vlerësoj shumë. Skuadra në pjesën e dytë e kontrolloi topin dhe lojën dhe po të kishim fat do merrnim një pikë. Nuk është fundi i botës, shumë mirë që u ndalëm tani në fillim të sezonit. E kam thënë dhe herë të tjera, nuk kam thënë që do dalim kampion por do luftojmë gjithnjë. Flamurtari nuk vodhi asgjë, e meritoi fitoren.”

Për euforinë

“Është normale në futboll euforia negative, vetëkënaqësia, jo adrenalina që është eufori pozitive. Kjo eufori është prezente te lojtarët që akoma s’e mbajnë presionin për të qenë kampionë. Ky është mësim i mirë, kam përgjegjësitë e mia. Me rezultatin 0-2 bëmë gjithçka në pjesën e dytë, mora riskun në lëvizje, mund të shkonte rezultati dhe më i thellë, por skuadra mu përgjigj. Në fund rëndësi kanë pikët, sepse ato janë që japin suksesin apo dështimin.”

Për ndryshimin e lojës gjithnjë pasi del Dediç

“Në fakt kam patur dhe unë rezerva për Dediç, ai është i vlefshëm për ne por nuk është në gjendjen më të mirë. Kishim fituar dy ndeshje dhe jemi pak supersticiozë ndaj s’e kam ndryshuar formacionin, është gabim i imi por një lojtar kur ia jep fanellën duhet ta justifikojë. Kam futur në pozicion jo natyral Dostin për pasën e fundit, në goditje standarde nuk ka bërë mirë, ndërsa në lojë bëri mirë. As fati nuk ishte me ne, flas për pjesën e dytë sepse po të kishim shënuar më shpejt, mund ta kishim fituar ndeshjen.”

Për reagimin në vazhdim

“E mira e të keqes është që u ndalem tani dhe kemi kohë për të reaguar. Skuadra ka kohë dhe në javën 5-6 do përshtatet më mirë taktikisht sepse ka lojtarë të rinj në përbërje.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"