Lushnja, sezoni nis me dyer të… mbyllura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 17:28

Lushnja, sezoni nis me dyer të… mbyllura

Lushnja ka shtuar ritmin e përgatitjeve dhe duket se ka gjithçka gati për të ngritur siparin e këtij kampionati. Ndonëse ekipi është pasuruar në merkato, duket se problemet e së shkuarës vazhdojnë të shqetësojnë.

lushnja

Klubi ka konfirmuar për “Panorama Sport” se java e parë do të luhet me dyer të mbyllura. “Roza Haxhiu” me këtë ndeshje plotëson një dënim 4-javor, të dhënë nga vjet. E thënë ndrydhe, stadiumi do të jetë bosh ndaj Shënkollit. E mërkura pritet që të jetë vendimtare për federimet, por edhe për zhvillimin e testeve mjekësore të 25 futbollistëve të cilët do të përfaqësojnë Lushnjën në sezonin 2019-2020. Me kalendarin që u hodh të hënën, vetëm tani kanë filluar që të merren me organizimin e ndeshjes si pritës.

MBROJTËSI – Lushnja do të luajë për herë të parë me Shënkollin, ndaj duan që t’i nisin mbarë përballjet me këtë kundërshtar. Në një prononcim për gazetën, futbollisti i linjës së majtë, Ledion Ruço, u shpreh i bindur për pikët.

“E nisim kampionatin në fushën tonë dhe na shkon ndërmend për të marrë tri pikët e para. Synimi ynë është ta nisim me fitore, me këmbën e mbarë. Ekipi për këtë përgatitet, për të marrë tri pikët ditën e shtunë. Lushnja do të pretendojë këtë sezon dhe në fushën tonë ne shikojmë fitoren”, tha mbrojtësi.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"