Lushnja rigjenë Besëlidhjen pas 9 vitesh, Qoshku beson: Shmangim fundin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 12:10

Lushnja rigjenë Besëlidhjen pas 9 vitesh, Qoshku beson: Shmangim fundin

Lushnja rigjen Besëlidhjen. Nëse në elitë kanë 19 vjet që nuk përballen (takimi i fundit i përket 26 prillit 2003, kur lushnjarët fitonin 2-1, me golat e Arlind Norës dhe të Robert Grizhës), në Kategorinë e Parë janë bërë 9 vite.

LUSHNJA 1

Përballja e fundit mban datën 1 shtator 2012, kur fitonin me golin e Mikel Cankës. Pesë përballjet e fundit mes dy ekipeve rezultojnë me vetëm një fitore për Besëlidhjen, ndërkohë që ka 1 barazim dhe 3 fitore të Lushnjës. Situatat kanë ndryshuar ndjeshëm, ndërsa tani dy ekipet enden në vendet e fundit të tabelës dhe shohin pikët si shpëtim. Këtë e thotë edhe mesfushori Aldo Qoshku, gjatë një deklarate të dhënë për gazetën.

Ai evidenton se vetëm fitorja do t’i jepte qetësinë që mungon prej javësh. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ekipin. Mendoj se e kemi përgatitur si duhet këtë takim që ka vlerën e tri pikëve për ne. Luajmë përballë një kundërshtari, që sikurse ne nuk është mësuar të jetë në këto pozicione të tabelës.

Të bëjmë një lojë të mirë, të dalim te goli dhe të jemi të vëmendshëm, këto janë detyrat tona. Ekipi do të zbresë nesër në fushë vetëm për të fituar. Është mundësia e vetme për t’iu larguar fundit”, tha Aldo Qoshku, i cili në mesjavë mbushi 21 vjeç. Mesfushori i lindur në Greqi luan sezonin e dytë radhazi me lushnjarët.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"