Lushnja, një Dinamo… e vogël. Rrëfehen 3 “ish”-ët e “Bluve”: Bëjmë futbollin më të mirë në Grupin B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2020 | 22:24

Lushnja, një Dinamo… e vogël. Rrëfehen 3 “ish”-ët e “Bluve”: Bëjmë futbollin më të mirë në Grupin B

Vilfor Hysa, Geraldo Hysi dhe Aldo Qoshku janë tre dinamovitët që iu bashkuan Lushnjës këtë edicion. Tashmë ata mbrojnë ngjyrat e verdhejeshilëve dhe për “Panorama Sport” japin përshtypjet e tyre për fundin e fazës së parë. Edhe pse skuadra humbi në Berat, ata nuk e bëjnë dramë. Janë të bindur se me disa ndërhyrje të mira në merkato, lushnjarët do të rikthehen në komandën e Grupit B.
LUSHNJAAA
VILFOR HYSA
Sulmuesi Vilfor Hysa mendon se Lushnja bën futbollin më të mirë në Grupin B, por i duhet të futet në merkato për mbrojtjen. “Ky sezon nisi me vonesë, ndaj janë dy faza për t’u luajtur dhe ka kohë për të bërë llogaritë. Periudha e pauzës është më e shkurtër se vitet e tjera. Kampionati do të rifillojë më 16 janar. Faza e parë është pjesa më e rëndësishme e sezonit dhe mendoj që barazimi i ndeshjes së fundit nuk ia ul vlerat ekipit tonë. Lushnja praktikon një futboll të mirë, por mbetet për t’u përmirësuar finalizimi. Ekipi mund të shënojë më shumë. Nuk kam dilema për të ardhmen, do të qëndroj deri në fund të sezonit. Jam shumë mirë dhe ekipi më pëlqen. Nga eksperienca si futbollist, mendoj se duhet bërë merkato në mbrojtje”, u shpreh 31-vjeçari.
243088
GERALDO HYSI
Për mesfushorin Geraldo Hysi ky ka qenë një sezon special. Lojtari që shënoi golin e parë ndaj Turbinës, shpreh keqardhje për barazimin e fundit. “Pata një dëmtim në fillim të sezonit, por e mora veten. Arrita të shënoj edhe golin e parë me Lushnjën, edhe pse me vjen keq që nuk vlejti për trepikëshin. Golin ia dedikoj babait tim dhe tifogrupit ‘Delegatët’, të cilët na kanë mbështetur gjithnjë. Kam një kontratë me Lushnjën që do ta respektoj deri në fund. Jam ndier shumë mirë në Lushnjë. Ka shumë atmosferë dhe flitet shumë për futbollin. Tani përgatitemi që të bëjmë më mirë pjesën e mbetur të kampionatit”, tha Hysi, që pikërisht sot feston 22-vjetorin.
126137268_3484471721670124_1576402798254907181_n
ALDO QOSHKU
Vendi i parë është çështje kohe për Lushnjën, kështu mendon Aldo Qoshku. Mesfushori i krahut të majtë nuk e bën dramë humbjen e fundit dhe beson se në 2021-ën gjithçka do të marrë tjetër rrjedhë. “Për mua ka qenë një sezon shumë i mirë. Bëjmë stërvitje të nivelit të lartë dhe ekipi përgatitet në mënyrë intensive. Jam përshtatur me grupin e futbollistëve dhe me qytetin. Lushnja është pretendentja kryesore për t’u ngjitur lart. Ecuria ka qenë shumë pozitive. Me disa ndeshje më të mira në janar dhe shkurt do ta kapim vendin e parë”, përfundoi 20-vjeçari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"