Lushnja i surprizon të gjithë, rikthen në skuadër lojtarin që u tërhoq nga futbolli para një viti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2020 | 15:39

Lushnja i surprizon të gjithë, rikthen në skuadër lojtarin që u tërhoq nga futbolli para një viti

Lushnja e sezonit të ri është e gjitha për t’u zbuluar, pasi skuadra ka ndryshuar gati tërësisht organikën, ndërkohë që dëmtimet nuk po e lënë rehat. Ndryshimet kanë prekur të gjitha repartet, nga porta te sulmi. Në këtë situatë, klubi ka vendosur që për portën të rikthejë në aktivitet 38-vjeçarin Mikel Spaho, i cili tashmë është zyrtarisht pjesë e skuadrës së trajnerit Ilir Gjyla. Një vit pasi la futbollin e luajtur, portieri i njohur do të rikthehet mes shtyllave.

Spaho

Spaho ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me klubin lushnjar, duke u bërë kështu pjesë e 24-shes që do të përfaqësojnë Lushnjën për edicionin e ri. Sot paradite ai do të kryejë edhe analizat mjekësore për të qenë gati për federimin. “Si gjithnjë, shpreh gatishmërinë time për të mirën e Lushnjës sa herë që të më kërkohet”, është shprehur shkurt por gazetën portieri Spaho.

PEPA – Ish-sulmuesi i njohur lushnjar, Kapllan Pepa, për “Panorama Sport” mundohet të bëjë një parashikim për atë që mund të bëjë skuadra verdhejeshile. “Shtyrja e kampionatit, që tashmë është kthyer në fenomen, ia shton hallet Kategorisë së Parë. Kur thuhet se kampionati do fillojë më 19 shtator, duhet të respektohet data zyrtare, ndërsa për ata që nuk janë gati ka masa disiplinore. Është krijuar një situatë e paprecedentë. Te Lushnja mendoj se po bëhet maksimumi për të zëvendësuar largimet e shumta.

Kontratat janë 1-vjeçare dhe pas përfundimit të saj çdo lojtar largohet pa asnjë pengesë. Në mungesë të një sponsori, them se është bërë maksimumi, sepse mundësitë e bashkisë e kanë një limit. Lushnja ka nevojë për një sponsor, nuk e kuptoj pse nuk afrohen bizneset dhe të krijohen ura bashkëpunimi. Disa lojtarë më duken interesantë, janë të rinj dhe duan të afirmohen. Përshëndes afrimin e sulmuesit Hysa, sepse skuadra ka nevojë për 2-3 elementë cilësorë. Besoj se do të afrohet edhe një lojtar cilësor për linjën e majtë, pas dëmtimit të Mones. Është një kontigjent interesant, që besoj se do të ingranohet shpejt dhe Lushnja t’i bëjë një nisje të mbarë kampionatit”, thekson mes të tjerash ish-sulmuesi Kapllan Pepa.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"