“Lushnja është pa shtyllë kurrizore”, Spaho: Kemi 3 vjet që “lëngojmë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2022 | 23:36

“Lushnja është pa shtyllë kurrizore”, Spaho: Kemi 3 vjet që “lëngojmë”

Lushnja ka bërë startin më të dobët në 5 vitet e fundit në Kategorinë e Parë. Në 10 javë të luajtura, ka grumbulluar vetëm 9 pikë, me një mesatare 0,9 pikë për ndeshje. Verdhejeshilët rrezikojnë rënien më poshtë, teksa ndodhen në vendin e 12-të të renditjes.

mikel spaho

Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri Mikel Spaho e pranon që verdhejeshilët po lëngojnë. E megjithatë, është optimist për të ardhmen.

“Ka tri vjet që futbolli i Lushnjës po ‘lëngon’. Nëse dikur pjesa më e madhe e lojtarëve rikonfirmohej, këto kohë kemi të bëjmë me një ndryshim të vazhdueshëm të kontingjentit. Në përbërje ka shumë elementë që veshin për herë të parë fanellën verdhejeshile dhe luajnë për herë të parë në Kategorinë e Parë.

Vite më parë kishte më shumë rezultat dhe skuadra pretendonte më lart, sepse ishte e njëjta përbërje dhe futbollistët e njihnin njëritjetrin. Një tjetër gjë që mendoj unë, është se ekipi nuk ka një bosht. Me fjalën bosht, unë nënkuptoj një portier, një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues. Lojtarë me cilësi dhe me kualitet sportiv. Lushnja nuk ka një shtyllë kurrizore. Që ekipi të shpëtojë rënien nga kategoria duhet të marrë 4 pikë në 3 ndeshje të mbetura të fazës së parë.

Kaq si fillim, në janar pastaj duhet të hyjë në një merkato për të afruar futbollistë shumë cilësorë, nga ata që mbajnë peshë. Duke dalë te vetja, ne kemi problem edhe portën. Në këtë moshë që jam unë, 40 vjeç, jam i gatshëm. Nga ana tjetër përpiqem të shoh elementë premtues për portën që i duhen së ardhmes. Shpresoj shumë që të dalim nga kjo situatë”, deklaroi portieri Spaho.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"