Luksi tek inferiorët, Elbasani me dy formacione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2018 | 11:59

Luksi tek inferiorët, Elbasani me dy formacione

Një skuadër preten dente ka nevojë që të ketë një organikë të pasur, në cilëndo kategori të marrë pjesë. E njëjta gjë vlen edhe për Elbasanin, i cili militon në Kategorinë e Dytë, por synon patjetër ngjitjen në të Parën. Deri më tani e ka bërë gjysmën e punës, edhe pse me një ekip të cunguar.

elbasani-470x353

Në transfertat e fazës së parë, tekniku Eriol Merxha ishte shumë në hall për sa i përket organikës, aq sa kishte raste kur detyrohej të merrte futbollistë nga të rinjtë për të plotësuar numrin e tyre në stol. Këto ditë duken të largëta dhe tani pritet që Elbasani të ketë dy skuadra, një në fushë dhe një në pankinë.

Elbasani-470x267

Një “hall” më vete janë edhe titullarët që do të hidhen në fushë nga minuta e parë, por gjithsesi një hall i tillë konsiderohet luks. Në bazë të performancës në stërvitje, pritet të bëhen edhe lëvizjet në ndeshjet zyrtare.

DY SKUADRA

Nuk dihet ende sesi do të luajë Elbasani në ndeshjen e parë në Maliq, por do të aktivizohen ata që janë më në formë fizikisht dhe javë pas jave mund të ketë lëvizje. Kjo, edhe për faktin se janë ende disa lojtarë që nuk janë në formën e tyre më të mirë fizike dhe, për momentin, është e vështirë që Merxha të përzgjedhë një 11-she ideale titullarësh.

Elbasani

Nga porta në sulm verdheblutë i kanë mundësitë që çdo rol ta kenë të dubluar, edhe pse për disa lojtarë të veçantë ka shumë diferenca midis tyre dhe mund të mos e kompensojnë dot mungesën e tjetrit. Përpos këtyre futbollistëve, sërish tekniku Eriol Merxha mund të hedhë sytë nga moshat, pasi edhe aty mund të gjejë ndonjë lojtar si Dishani apo A.Lleshi që mund t’i shërbejnë në ekipin e parë.

Verdheblutë bën çmos që në merkaton e janarit të bënin afrime dhe mjafton të thuash që rikthyen Toçin me Suvarinë që luanin me Dinamon dhe Kasën te Luftëtari, futbollistë, të cilët pritet t’i japin një tjetër impuls skuadrës gjatë këtij kampionati.

Gjithsesi, mbetet i gjithi për t’u parë Elbasani i vitit 2018, kur do t’i duhet të mundë vetveten, pasi gjatë fazës së parë nuk koleksionuan asnjë humbje. Prova e parë e vërtetë është në transfertën e Maliqit, ku një fitore e mundshme do t’i hapte rrugën për në Kategorinë e Parë. Fundjavën e ardhshme rinis Kategoria e Dytë me pjesën e dytë të kampionatit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"